Policia ka arritur të zbardhë vrasjen e Elis Rroshkodolit në Shkodër, duke identifikuar autorin e krimit.
Mësohet se në pranga ka rënë një shtetas me inicialet Xh.M, i cili mësohet se ka ndihmuar autorin. Po ashtu, në kërkim janë shpallur dhe 3 persona të tjerë, mes tyre dhe eksekutori. Të katërt kanë organizuar dhe kanë bashkëpunuar për kryerjen e atenttit që i mori jetën Roshkodoleit, teksa pinte kafe.
Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 12:30 të 30 gushtit, teksa viktima ndodhej duke pirë kafe në një lokal. Një person hapi zjarr ndaj tij, nga një makinë. Elis Rroshkodoli mësohet se ka marrë plot 14 plumba në trup, gjë e cila bëri që ai të humb jetën në mënyrë të menjëhershme.
36-vjeçari i vetëdijshëm për konfliktet e shumta mbante me vete një pistoletë me fishekë në fole e gatshme për qitje të cilën grupi hetimor e gjeti në çantën e viktimës pas vrasjes. Policia dyshon se një automjet tip benz ngjyrë grih ka ardhur nga rruga “Isuf Sokoli” dhe 36-vjeçari është qëlluar teksa pinte kafe në një lokal në unazën perëndimore. Automjeti i dyshuar që ende nuk është gjetur ka marrë rrugën në të majtë në drejtim të hyrjes së Shkodrës duke humbur gjurmë më pas.
Elis Rroshkodoli është djali i Kujtim Haxhisë, ky i fundit i vrarë në vitin 1995 në Shkodër pas një konflikti duke lënë në moshën 7 vjeçare të birin.
Jeta e vështirë ka bërë që konfliktet për të të nisin shpejt, që kur ka qenë në një moshë të re ende pa i bërë 20 vjeç. Në vitin 2010 dyshohet se Elis Rroshkodoli ka plagosur me armë zjarri shtetasin Hysni Bregu, babai i të fortit të Shkodrës Barush Bregu.
Më pas në vitin 2014 dyshohet se është përfshirë në një vjedhje në Belgjikë, i arrestuar bashkë me një grup shqiptarësh. Po në Belgjikë dyshohet se ka plagosur një shkodran me mbiemrin Shema dhe një vit më parë është dyshuar për plagosjen e një rumuni në Rumani nga ku është arratisur drejt Stambollit.
Njoftimi i policisë:
Operacioni, rezultat i punës intensive dhe profesionale hetimore të shërbimeve të DVP Shkodër, në bashkëpunim me shërbimet e DVP Tiranë dhe me Prokurorinë e Shkodrës.
✅Zbardhet vrasja e shtetasit E. Rr. (Sh.), kryer më datë 30.08.2024, në një lokal në lagjen “Ahmet Haxhia”.
Kapet dhe vihet në pranga një shtetas i implikuar në këtë rast. Punohet intensivisht për kapjen e 3 bashkautorëve të kësaj vrasjeje, të cilët janë identifikuar tashmë nga Policia.
✅Zbulohet një garazh në territorin e bashkisë Tiranë, që iu shërbente 4 shtetasve, si bazë kriminale për të fshehur automjete të trafikuara, të cilat do të përdoreshin gjatë kryerjes së krimeve.
Sekuestrohen 3 automjete të trafikuara nga shtete të ndryshme të Europës dhe pjesë të automjetit të përdorur nga autorët, gjatë vrasjes së shtetasit E. Rr. (Sh.).
Si rezultat i një pune intensive operative dhe hetimore, të kryer nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë dhe me Prokurorinë e Shkodrës, me qëllim zbardhjen e dinamikës dhe autorësisë së vrasjes së shtetasit E. Rr. (Sh.), kryer më datë 30.08.2024, në një lokal në lagjen “Ahmet Haxhia”, u finalizua operacioni policor i koduar “Fjalëkryqi”.
Në kuadër të këtij operacioni, u identifikua, u kap dhe u vu në pranga shtetasi Xh. M., 26 vjeç, për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Trafikimi i mjeteve motorike”, kryer në bashkëpunim. Gjithashtu, u identifikuan dhe u shpallën në kërkim, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Trafikimi i mjeteve motorike”, kryer në bashkëpunim, shtetasit J. Xh., 31 vjeç, V. Xh., 38 vjeç dhe D. M., 42 vjeç.
Nga hetimet dyshohet se këta 4 shtetas kanë organizuar dhe kanë kryer vrasjen e shtetasit E. Rr. (Sh.).
Në vijim të operacionit, në bashkëpunim me shërbimet e DVP Tiranë, u zbulua në territorin e bashkisë Tiranë, një garazh, ku këta 4 shtetas mbanin automjete të trafikuara nga shtete të ndryshme të Europës, të cilat dyshohet se janë siguruar për të shërbyer gjatë kryerjes së krimeve të rënda kundër personit.
Nga kontrollet në këtë ambient u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 3 automjete të dyshuara të trafikuara dhe pjesë të automjetit të dyshuar të përdorur nga autorët, gjatë vrasjes së shtetasit E. Rr. (Sh.).
Vijojnë intensivisht kërkimet me qëllim lokalizimin dhe ndalimin e 3 shtetasve të shpallur në kërkim.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Shkodrës, për veprime të mëtejshme.