VLORË- Një objekt tre katësh është shembur mëngjesin e sotëm me shpërthim të kontrolluar nga IKMT në zonën e Radhimës pasi ishte ndërtuar pa leje.
Ndërkohë bëhet me dije se për shembjen e objektit janë hapur 410 furnela, janë shtrirë 1,100 metra linearë fitil detonant dhe është vendosur 32 kilogramë lëndë plasëse. Shpërthimi u krye rreth orës 07:30, ndërkohë që në aksin Vlorë-Orikum qarkullimi u ndërpre, si dhe furnizimi me energji elektrike u ndërpre 15 minuta përpara shpërthimit.
Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet e tij sociale video të ndërtesës, duke thënë se edhe shkelësit e mëdhenj do të ndëshkohen. Ndërkohë që në fillim të muajit korrik qeveria ka ndërmarrë një aksion për lirimin e hapësirave publike dhe shembjen e ndërtimeve pa leje.






