TIRANË- Arjoni, 14 vjeç, mbetur i plagosur në bulevard një vit më parë u paraqit në gjykatë si i dëmtuar nga një përleshje që nisi nga droga. Dëshmia e fëmijës është bërë shkak që prokuroria të ngrejë akuzë ndaj Krist Mazrekut, një 27-vjeçar që dyshohet se u përpoq t’i shesë hashash Arjonit dhe shokëve të tij që po qëndronin në disa stola.
Por teksa i mituri këmbënguli në seancën me dyer të mbyllura se i panjohuri u ofroi cigare me hashash në afërsi të një picerie, të kundërtën këmbëngul i akuzuari. Mazreku tha në gjykatë se mbasi konsumoi një picë, ndezi një cigare hashash në rrugë, por një grup adoleshentësh tentuan t’ia rrëmbejnë. Në këto kushte ai pretendon se reagoi duke qëlluar me një biçak që e kishte kujtim nga gjyshi.
Biseda mes gazetares Anila Hoxha dhe të riut:
-Ku e gjete hashashin?
-Ai që do, e gjen
-Si gjendet hashashi? Sa lekë e bleve?
-Pesë mijë lekë… Ai më thua ma jep mua se jam gangster. I thash s’ta jap se e kam për vete. U mblodhën të gjashtë, më goditën dhe më rrëzuan.
-E the në polici ti këtë version
-Po
Në gjyqin paraprak, trupa vendosi ta kalojë çështjen në themel ndërkohë që mbrojtja insiston të kqyren kamerat që do të tregojnë dinamikën nëse kemi thjesht një përdorues të sulmuar, apo një shpërndarës sulmues.
Për çështje të tilla këtu në gjykatën e kryeqytetit është hapur një sallë ku shqyrtohet çështjet vetëm për të miturit në konflikt me ligjin. Kryesojnë të akuzuarit për drogë, vjedhje, drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe drejtim mjeti në gjendje të parregullt si dhe konfliktet fizike me njëri tjetrin. Statistikat janë në rritje ndonëse ligjet ofrojnë “drejtësinë miqësore për të mitur”.
Marrë nga TOPCHANNEL