UNESCO: Emigracioni ka boshatisur shkollat, gjysma e shqiptarëve kanë emigruar që nga 1991

0

Një raport i fundit i UNESCO nxjerr në pah ndikimin e thellë të emigracionit dhe pabarazive sociale në sistemin arsimor në Shqipëri, pavarësisht përmirësimeve të dukshme në dekadat e fundit.

Sipas raportit, përfundimi i arsimit të mesëm të lartë ka pësuar luhatje të ndjeshme ndër vite. Nga 49% në vitin 1992, kjo shifër ra në 42.5% në vitin 2000 gjatë periudhës së tranzicionit, për t’u rikuperuar më pas në 82% në vitin 2018. Megjithatë, organizata thekson se problemet strukturore mbeten të pranishme.

Pabarazitë sociale vijojnë të jenë të theksuara, veçanërisht për grupet vulnerabël. Në vitin 2017, vetëm 1% e komunitetit rom dhe 5% e komunitetit egjiptian kishin përfunduar arsimin e mesëm të lartë, duke reflektuar hendek të madh në aksesin ndaj arsimit.

Një tjetër shqetësim madhor mbetet rënia e arsimit profesional. Nga 72% e nxënësve të regjistruar në këtë sektor në vitin 1990, shifra zbriti në 19% në vitin 2002. Po ashtu, përqindja e të diplomuarve nga arsimi profesional ra nga 62% në vitin 1992 në vetëm 7% në vitin 2012. Edhe pse ka pasur një rritje të lehtë vitet e fundit, sistemi ende nuk është plotësisht i përshtatur me kërkesat e tregut të punës.

Raporti nënvizon gjithashtu ndikimin e fortë të emigracionit. Që nga viti 1991, rreth 50% e popullsisë shqiptare ka emigruar, duke çuar në tkurrjen e popullsisë në moshë shkollore dhe në uljen e numrit të nxënësve në sistemin arsimor.

Ndërkohë, trendi i emigrimit ka ndryshuar, duke kaluar nga largimi i punëtorëve të pakualifikuar në vitet ’90 drejt emigrimit të individëve më të arsimuar, çka rrit presionin mbi sistemin arsimor dhe tregun e punës.

Nga ana financiare, shpenzimet publike për arsimin janë rritur ndjeshëm, nga 7% në vitin 1990 në 14% në vitin 2016. Pesha e arsimit të mesëm të lartë në buxhet është zgjeruar nga 6.5% në vitin 2002 në 20% në vitin 2020.

Megjithatë, UNESCO thekson se faktorë si varfëria, niveli i ulët arsimor i prindërve dhe distanca nga shkolla vazhdojnë të rrisin rrezikun e braktisjes së arsimit.

Në të njëjtën kohë, zgjerimi i arsimit të lartë pas anëtarësimit në Procesi i Bolonjës në vitin 2003 ka sjellë rritje të ndjeshme të numrit të studentëve. Regjistrimet u rritën nga 16% në 64% gjatë periudhës 2003–2013, duke arritur në 82% në vitin 2024. Megjithatë, raporti paralajmëron se këto shifra ndikohen nga emigracioni dhe ndryshimet demografike.