TIRANA- Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, javën e ardhshme do të zhvillojë vizita në shtetet e Ballkanit Perëndimor. Bëhet me dije se Von der Leyen do të vizitojë Shqipërinë më 23 tetor ku do të takohet me kryeministrin Edi Rama ndërsa do të mbajë një fjalim në ceremoninë e përurimit të Kolegjit të Europës në Tiranë. Një ditë më pas, më 24 tetor Von der Leyen do të zhvillojë edhe një takim me Presidentin Bajram Begaj.
Më pas mësohet se presidentja e Komisionit Europian do të niset për një vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut. Ndalesa tjetër e saj do të jetë Bosnje dhe Hercegovina po më 24 tetor, ku Von der Leyen pritet të vizitojë zonat e prekura nga përmbytjet. Gjithashtu ajo do të takohet me Presidencën e Bosnjë-Hercegovinës, Kryetaret e Këshillit të Ministrave Borjana Krišto.
Ndërkohë më 25 tetor Von der Leyen do të zhvillojë një vizitë në Serbi ku do të takohet me presidentin Aleksandër Vuçiç dhe kryeministrin Millosh Vuçeviç. Mësohet se më 26 tetor Von der Leyen do të vizitojë Kosovën ku do të takohet me Presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti. Ajo do ta mbyllë turin me vizitën në Malin e Zi po më 26 tetor ku do të takohet me Presidentin Jakov Milatoviç dhe kryeministrin Milojko Spajiç.
Kjo vizitë e Von der Leyen vjen disa ditë pasi Shqipëria hapi zyrtarisht negociatat me Bashkimin Europian për grup-kapitullin e parë. Sipas metodologjisë së re, në procesin e zgjerimit fillimisht është hapur grupi i parë ku janë kapitujt që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit.
Me hapjen e grupit të parë të kapitujve, është zyrtarizuar ndarja e paketës ku Tirana ishte së bashku me Maqedoninë e Veriut. Për disa vite vendimet janë marrë paralelisht për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, ndërsa tash rrugët janë ndarë. Rruga e Shkupit drejt BE-së vazhdon të jetë e bllokuar nga Bullgaria, për shkak të mosmarrëveshjeve dypalëshe.
Arsyeja e ndarjes së Shqipërisë në këtë rrugëtim drejti BE-së, është se Maqedonia e Veriut nuk e ka përmbushur kushtin e vendosur nga Bullgaria, që të përfshijë në preambulën e Kushtetutës minoritetin bullgar. Ky kusht është futur në kornizën negociuese që Parlamenti maqedonas votoi në korrik të vitit 2022, propozim që njihet edhe si “propozimi francez”.