Vajza e ish-kolonelit të Zogut jep dëshminë tmerruese : E vranë dhe e hodhën në pus

0

Publikohet historia e panjohur e familjes Dema me origjinë nga fshati Homesh i Zerqanit të rrethit të Dibrës, ku një ndër burrat më në zë të saj, Dine Dema, që në periudhën e sundimit osman ishte shpallur armik nga Porta e Lartë e Stambollit dhe më pas së bashku me disa nga burrat e tjerë të asaj familje, morri pjesë në rezistencën ndaj forcave serbo-malazeze që mësynin herë pas here kufirin shqiptar deri në afërsi të rrethit të Dibrës.

Dëshmia e Vera Demës, e bija e Hysni Demës, një nga djemtë e Dine Demës, i cili pasi studioi në Vienë në një shkollë ushtarake dy-vjeçare, u kthye në Shqipëri dhe pas diplomimit në Shkollën Mbretërore të Plotësimit të Oficerëve në Tiranë, gjatë gjithë periudhës së Monarkisë, shërbeu me devotshmëri ndaj Mbretit Zog, duke qenë një nga oficerët më besnikë të tij me gradën e kolonelit.

Internimi i Hysni Demës në Itali pasi kundërshtoi agresionin ushtarak fashist italian ndaj Shqipërisë në prillin e vitit 1939 dhe më pas angazhimi i tij në rradhët e Ministrisë së Punëve të Brendshme me detyrën e Komandantit të Xhandarmërisë Shqiptare, që i’u ofrua nga ana e regjencës në periudhën e pushtimit gjerman të vendit. Arratisja e Hysniut në Greqi ku dhe ai vdiq në vitin 1951 në Kampin e Llavros-it ku qëndroi si azilant politik dhe persekutimi i egër i familjes së tij nga ana e regjimit komunist të Enver Hoxhës deri në vitin 1991, kur ata u liruan nga internimi.

“Sapo komunistët erdhën në pushtet në dhjetorin e vitit 1944, ata filluan hakmarrjen ndaj familjes sonë, duke na djegur sarajet dy katëshe me gati 20 dhoma të gjyshit tone, Dine Demës, që ndodheshin në fshatin Homesh të Zerqanit. Pasi shtëpia u shkatërrua e tëra, u arrestua dhe i pari i familjes sonë, Dine Dema, së bashku me Iljaz Demën, Demir Demën, Mynyr Demën, Sul Demën dhe Abdulla Demën. Pas kësaj forcat komuniste pushkatuan Dinen dhe Qemalin, ndërsa Iljazin, pasi e vranë, e hodhën në pus. Po kështu në fillimin e nëntorit të vitit 1944, forcat partizane të kryesuara nga Zija Kambo, erdhën në shtëpinë tonë që e kishim në Rrugën e Saraçëve në Tiranë dhe na nxorën jashtë vetëm me rrobat e trupit. Komandanti i partizanëve tha: ‘Mjaft e keni mbajtur ju të Hysni Demës këtë shtëpi. Që sot e tutje kjo do të jetë e jona, ndërsa ju shkoni ku të doni”. Kështu e kujtonte Vera Dema (Kuca), e bija e ish – komandantit të Xhandarmërisë së Tiranës, kolonel Hysni Demës, fillimin e persekutimit të familjes së saj nga ana e regjimit komunist të Enver Hoxhës, e cila rrëfen të gjithë kalvarin e vuajtjeve të familjes dhe fisit të saj, kalvar që zgjati nga viti 1945, deri në 1990-ën, me shëmbjen e atij regjimi.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu