Vanesa tregon historinë e rrallë të jetës së saj: ‘Prindërit u divorcuan kur isha 7-muajshe, mami më la 2 vjeçe, njerka më keqtrajtoi për 4 vjet, jetoj me një nga gratë e babait’

0

Jeta e Vanesës është një kalvar vështirësish që nis prej muajve të parë që ajo ka ardhur në jetë. Ajo e fillon rrëfimin e saj në “Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan me divorcin e prindërve që kur ajo ishte 7-muajshe. Në moshën 2-3 vjeçare nëna e Vanesës largohet drejt Italisë me dikë që kishte njohur dhe e la vajzën te prindërit e saj. Takimi i parë nënë e bijë ndodhi kur Vanesa ishte 14 vjeçe.

Vanesa: Kam qenë vetëm 7-muajshe kur prindërit e mi janë ndarë dhr kam qenë bebe, e vogël, më kanë treguar gjyshërit që janë ndarë për arsye se kanë pasur mospërputhje karakteri, ziheshin shpesh, babi nuk punonte dhe mendonin që nuk i duhur për mamin (babi). Kështu që prindërit e mi ndahen. Mami ka ndenjur me mua deri në moshën 2-3 vjeçare dhe ka ikur, është larguar nga shtëpia e gjyshërve ku jetonim bashkë…

Ardit Gjebrea: Gjyshërit ishin nga ana e mamit apo nga ana e babit?

Vanesa: Nga ana e mamit sepse unë jetoja me mamin dhe me gjyshërit nga ana e mamit. Nga ana e babit nuk jetonin. Babi u largua domethënë, kur u nda nga mami u largua. Isha shumë e lidhur me mamin, siç më kanë treguar edhe gjyshërit, normale por vjen një moment që mami largohet, ikën.

Ardit Gjebrea: Ku?

Vanesa: Njihet me dikë dhe largohet për në Itali me atë njeri për në Itali, është burri i saj aktual domethënë.

Ardit Gjebrea: Qartë. Dhe ty të la në Shqipëri.

Vanesa: Po, më la te prindërit e saj, më braktisi. Thjesht iku me atë në Itali dhe nuk u kthye për disa vite.

Ardit Gjebrea: Pate lidhje me të?

Vanesa: Jo, jo biles edhe kur shkoi në Itali pas disa ditësh ka marrë në telefon dhe ka treguar, ka thënë që s’ka patur kurajë për t’iu thënë “pse ika dhe pse duhej ta lija fëmijën tim te ju, thjesht duhej të ikja”. Vetëm kaq ka thënë dhe ka ikur me atë.

Ardit Gjebrea: E ke takuar më mamin?

Vanesa: Mamin unë e kam takuar kur u bëra 13, 14 vjeç. Atëherë e takoj mamin. Pas shumë vitesh domethënë.

Ardit Gjebrea: Si ishte takimi?

Vanesa: I ra pak të fikët se normale, kishte shumë vite që s’më shikonte dhe i erdhi shumë rëndë ajo pjesa që kur më ka lënë dhe sa isha rritur. Aty pastaj burri i saj i thotë që “dua ta marrim vajzën me vete në Itali” dhe unë pranoj, i them babit ba, unë dua të shkoj te mami në Itali.

Por përpara se të takonte nënën pas aq shumë vitesh, në moshën 7-vjeçare njeh për herë të parë babain e saj. Ai u përpoq të afrohej me të bijën ndërkohë kishte krijuar një jetë tjetër në Greqi ku ishte martuar për herë të tretë.

Vanesa tregon se fillimisht ajo ishte e ftohtë me të atin sepse gjyshërit nga nëna me të cilët jetonte nuk i kishin ushqyer dashuri për të, madje i kishin thënë se kishte vdekur.

Ardit Gjebrea: Që nga mosha 2-vjeçare, çfarë ndodhi me babin?

Vanesa: Babi u largua, martohet me dikë tjetër. Kështu unë vazhdoj jetoj me gjyshërit. Por atë ditë që më ka lënë mami unë pësoj një temperaturë të lartë me pasojë syrin, syrin e majtë. Mund të vërehet pak, kam probleme me njërin sy. Tani vazhdova, kam ndenjur me gjyshërit deri në moshën 7-vjeçare. Vjen babi, më takon për herë të parë në moshën 7-vjeçare, ndërkohë mami kishte ikur.

Ardit Gjebrea: Si e prite këtë takim?

Vanesa: Nuk e di, unë i largohesha, nuk është se e doja babin, nuk e njihja, normalisht. Gjyshërit më tregonin.

Ardit Gjebrea: Çfarë të kishin thënë për babin?

Vanesa: Më kishin folur, por nuk është se më kanë rritur me atë frymën e mirë që “është babi jot”. Biles gjyshi dhe gjyshja më thonin që “ka vdekur, nuk është babi”. Tani deshën, s’deshën ata babi këmbënguli, erdhi, më takonte, më ka ardhur edhe te shkolla atje ku kam pasur shkollën në Durrës se jetoja në Durrës me gjyshërit. Edhe më takon, më sillte dhurata, tani foli edhe me gjyshërit, tha “unë dua të marr vajzën” dhe bien dakord që babi të më merrte ndërkohë që kishte martesën edhe me gruan e tretë se ka pasur edhe një martesë para mamit tim.

Ardit Gjebrea: Pra mami ishte e dyta. Kjo e reja ishte e treta.

Vanesa: Po, ka pasur një martesë, ka pasur edhe një vajzë me martesën e parë. Unë jam e dyta, fëmija i dytë.

Ardit Gjebrea: Fëmija i dytë me gruan e dytë.

Vanesa: Po, gruan e tretë që s’e ka as atë, ka dy fëmijë, një djalë dhe një vajzë.

Ardit Gjebrea: Sa fëmijë jeni gjithsej nga babi, katër?

Vanesa: Katër, po.

Ardit Gjebrea: Okej, vendose që të shkonit në… ku?

Vanesa: Babi jetonte në Greqi, në Larisa me gruan e tij.

Në moshën 10-vjeçare Vanesa shkon në Greqi por atje nuk gjeti ngrohtësi nga njerka e saj. Ajo kujton në “Ka Një Mesazh Për Ty”, rubrikë nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan se mbresat e para nga takimi me njerkën, presionin e vazhdueshëm që ajo aplikonte dhe keqtrajtimin.

Vanesa: Me thënë të drejtën, gruaja e vet nuk është se më donte. Ishte shumë xheloze, agresive edhe pak e frikshme se unë isha edhe fëmijë, isha 10 vjeç. Kam ndenjur një vit te hallat, te xhajat derisa m’u bë aplikimi i vizës për në Greqi. Shkoj aty në shtëpi, shoh njerkën, e takoj. Nuk është se më dha ndonjë ngrohtësi ose ndonjë lloj afrimiteti, por ka qenë edhe shumë e keqe. Domethënë mua më ka keqtrajtuar shumë.

Ardit Gjebrea: Pse, çfarë të bënte?

Vanesa: S’më linte asnjëherë të rrija me fëmijët e saj. Ishte shumë xheloze në shumë gjëra. Duhet të çohesha në mëngjes të bëja punët e shtëpisë se s’bën përpara se të shkoja në shkollë, në Greqi. Duhet ta bëja bukën vetë dhe të shkoja në shkollë edhe kështu, vetëm me frikë jetoja aty. Ikte babi, më nxirrte jashtë, borë, shi nuk kishte lidhje ajo pjesë, thjesht dilja jashtë. Kur vinte babi më thoshte “mos i trego babit se kemi muhabete të tjera bashkë”, kështu gjërash, kupton, si presion. Kam qenë edhe e vogël dhe kam pasur shumë frikë, madje kur ajo kalonte unë thjesht ulja kokën. E kam pasur si tip… si frikë shumë të madhe.

Kjo situatë vazhdoi për 4 vjet. Vanesa tregon se mësonte shumë në shkollë, kishte dashuri nga të gjithë dhe ëndrra e saj asokohe që e ka përcjellë deri më tani, është muzika. Babai dhe bashkëshortja e tij vendosin që të kthehen në Shijak dhe të ndërtojnë një shtëpi.

I ati merr vendimin që Vanesa të linte shkollën me pretekstin se nuk kishte mundësi ekonomike dhe të futej në punë në moshën 14-vjeçare.

Vanesa: Ia nis punës. Si fillim në rrobaqepësi. Shkoj aty por nuk po mundesha ta merrja si punë, të punoja, nuk po e kapja dot si punë dhe kështu që shkoj në një fabrikë petash. Fabrikë… ishte si tip shtëpie e vogël dhe kishte punëtorë që piqnin petat, bënin petat gati e kështu gjërash.

Ardit Gjebrea: Petë byreku.

Vanesa: Po.

Ardit Gjebrea: Okej.

Vanesa: Thjesht i piqnim petat, nuk është se bënim byrek.

Ardit Gjebrea: E kuptova, shisnit peta të pjekura.

Vanesa: Po. Vazhdoj aty punën, çdo pagesë që merrja e çoja në shtëpi, unë jetoja në kat të dytë, gruaja me fëmijët jetonte në kat të parë, asnjëherë nuk lidhesha me ta që të rrija në një vend me ata.

Ardit Gjebrea: I konsiderove ndonjëherë si motër e vëlla apo jo?

Vanesa: Ata po, normale, më donin por gruaja e babit asnjëherë s’më ka dashur. Gruaja e babit gjithmonë dinte të më veçonte.

Ardit Gjebrea: Sa vjeç ishe kur fillove punën?

Vanesa: Unë kam qenë 14 kur ia nisa punës, domethënë sa kam ardhur në Shijak aty ia nisa direkt punës.

Ardit Gjebrea: Dhe sa orë punoje?

Vanesa: 8-10 orë kam punuar. E kam pasur njëmijë (100) Lekë orën, çohesha në orën 5:30-6 të mëngjesit dhe vija pasdite në shtëpi në këmbë, shkoja në këmbë, vija në këmbë.

Burimi: tvklan.al

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu