VanHorn takon kryetaren e Gjykatës Kushtetuese: Prioritetet e Trump, çmontimi i rrjeteve të narkotrafikut dhe krijimi i kushteve të barabarta për bizneset amerikane

0

TIRANË- E ngarkuara me Punë e SHBA-ve në Tiranë, Nancy VanHorn ka takuar ditën e sotme kryetaren e re të Gjykatës Kushtetuese, Fiona Papjorgji. Përmes një njoftimi për mediat, VanHorn u shpreh se mbështet institucionet e drejtësisë në vend.

Ndërsa përmendi edhe prioritetet e Presidentit Donald Trump, të cilat kanë të bëjnë me çmontimin e rrjeteve të narkotrafikut dhe krijimin e kushteve të barabarta për bizneset amerikane.

VanHorn tha se Gjykata Kushtetuese luan një rol të rëndësishëm në garantimin e drejtësisë për qytetarët e Shqipërisë. Sipas saj, GJK luan një rol të rëndësishëm edhe në vënien para përgjegjësisë të atyre që shkelin ligjin dhe në ruajtjen e një sistemi ligjor të drejtë. Kjo në mënyrë që bizneset amerikane të mund të lulëzojnë.

“Sot, e Ngarkuara me Punë Nancy VanHorn përgëzoi Kryetaren e sapoemëruar të Gjykatës Kushtetuese, Fiona Papajorgji, dhe diskutoi se si mbështetja e kahershme e SHBA-së për institucionet e shtetit të së drejtës në Shqipëri çon përpara prioritetet e Presidentit Trump: çmontimin e rrjeteve të narkotrafikut dhe krijimin e kushteve të barabarta për bizneset amerikane. Gjykata Kushtetuese luan një rol të rëndësishëm në garantimin e drejtësisë për qytetarët e Shqipërisë, në vënien para përgjegjësisë të atyre që shkelin ligjin dhe në ruajtjen e një sistemi ligjor të drejtë, në mënyrë që bizneset amerikane të mund të lulëzojnë”, thuhet në njoftimin e Ambasadës Amerikane në Tiranë