Varfëria, kafshata që nuk kapërdihet…

0

Nga Halit Hidri

“Më jep një dyqindëshe!”. “Bëj sevap!”

Këto janë fjalët që dëgjojmë shumë shpesh rrugëve të Elbasanit gjë që na dëshmon se niveli i varfërisë në këtë qytet është gjithmonë në rritje.
Tabloja e errët e varfërisë që pikturohet nga vuajtjet e këtyre individëve për nevojat bazike sa vjen e zgjerohet. Keqardhja që ndjejmë na shtohet kur shohim “duart e vockla” të shtrira për lëmoshë, sytë e mbushur me lot të filizave të rinj të kësaj shoqërie që jo vetëm e kanë humbur shpresën, por shpeshherë mbesin edhe të uritur.

Ky fenomen nuk ka kursyer as fëmijët e mitur që në vend që të kenë qëllim mbarimin e shkollës dhe ndërtimin e një karriere të suksesshme njësoj si bashkëmoshatarët e tjerë, luftojnë për bukën e gojës duke lypur rrugëve.

Shpeshherë ata shfrytëzohen nga më të rriturit për të arritur grumbullimin e një shume simbolike parash. Siç e shikojmë, pavarësisht zhvillimeve dhe revolucioneve në fusha të ndryshme, disa plagë të shoqërisë nuk po mbyllen madje po thellohen edhe më shumë.

Është e kotë të krenohemi me faktin se shkenca prodhoi makinat hibride, inteligjenca artificiale po arrin majat apo se shkencëtarët kanë mundësi të marrin pamje nga universi, kur disa fëmijë llastohen nga prindërit duke u pajisur me teknologjitë e fundit ndërsa disa të tjerëve i mungon edhe ushqimi.

Koha nuk premton. Çdo vit vdesin me miliona njerëz nga e gjithë bota si pasojë e varfërisë. Duhet gjetur një zgjidhje sa më parë ose pasojat do të jenë të rënda për shoqërinë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu