Urdhri i Stomatologëve të Shqipërisë ka reaguar pas rastit të vdekjes së 3-vjeçarit, pas ndërhyrjes që bëri nga Roland Xhaxho.
Urdhri i Stomatologëve ka kërkuar të gjitha të dhënat e mjekimit të aplikuara ndaj Brian Spahiut. Po ashtu, USSH thekson se nuk ka ende dijeni për emrin e stomatologut që ka kryer ndërhyrjen dentare të vogëlushit dhe është e pashpjegueshme kjo mungesë e emrit të stomatologut kurues.
I mituri është dërguar nga familjarët në një klinikë dentare për disa shërbime. Pasi mjeku, Roland Xhaxho i ka bërë grafinë, u ka thënë prindërve se fëmija ka 13 apo 14 dhëmbë për rregullim. Për shkak të numrit të lartë është vendosur që të kryhet operimi me narkozë. Pas një operacioni që zgjati shumë orë, djali nuk është zgjuar më dhe është dërguar në shtëpi, sepse mjeku iu ka thënë familjarëve se do të zgjohet më vonë. Në shtëpi ai ka shfaqur probleme dhe rritje temperature dhe është dërguar në pediatri ku ka qëndruar në gjendje kome për 2 ditë dhe ka ndërruar jetë. Trupi i të miturit është dërguar në morg për tu kryer autopsia. Për ngjarjen e rëndë familjarët bëjnë fajtor mjekun dhe vajzën e tij, Ina Xaxho.
Njoftimi i Plotë:
Urdhri i Stomatologëve të Shqipërisë kërkon publikisht e zyrtarisht nga stomatologu që ka kryer mjekimin dentar, të gjitha të dhënat e mjekimit, perfshirë protokollin e mjekimit që është aplikuar për vogëlushin e ndjerë Brian Spahiu, grafitë para e pas mjekimit etj, sipas kërkesave të Komisionit Disiplinor që është ngritur posaçërisht për këtë çështje. Stomatologu kurues të sigurojë urgjentisht kontaktet me sekretarinë e Rajonit të USSH Tiranë.
Urdhri i Stomatologëve të Shqipërisë nuk ka ende dijeni për emrin e stomatologut që ka kryer ndërhyrjen dentare të vogëlushit dhe është e pashpjegushme dhe penalizuese kjo mungesë e emrit të stomatologut kurues, mosprezenca në media edhe mosparqitja në zyrat e Urdhrit të Stomatologëve të Shqipërisë.
Deri tani Urdhri i Stomatologëve të Shqipërisë ka ndjekur me tepër vëmendje reanimatorin Prof.Xhaxho, për të cilin nuk kemi asnjë koment, por për Prof.Xhaxho do të ishte tepër e domosdoshme, ligjore, etike dhe korrekte që në daljen e tij mediatike të ishte sëbashku me stomatologun që bëri mjekimin si në çdo rast tjetër të ngjashëm e simetrik. Urdhri i Stomatologëve të Shqipërisë ka tagrin ligjor e statutor të informohet imtësisht nga stomatologu që ka kryer ndërhyrjen dentare, ndërkohë që akoma s’ka një emër konkret.