Kreu i PDK-së Memli Krasniqi ka reaguar pas vdekjes së ish-sekretares së DASH Madalene Albright. Me anë të një postimi në Facebook, Krasniqi shkruan se Kosova është me fat që pati një mbrojtëse dhe një mike si ajo. Ai ka shtuar se Albright do të mbetet në zemrat e çdo shqiptari të Kosovës, për rolin e saj në ndalimin e gjenocidit serb.
Postimi i Plotë:
Me pikëllim të madh mora lajmin për vdekjen e mikes së madhe të shtetit të Kosovës, ish-Sekretares së Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Madeleine Albright. Zonja Albright ishte një personalitet i papërsëritshëm, simbol i diplomacisë amerikane në botë dhe i humanitetit e i lirisë për shqiptarët. Ajo do të mbetet përherë e dashur në zemrën e secilit qytetar të Kosovës, për rolin e saj vendimtar në ndalimin e gjenocidit serb në vendin tonë. Ajo ishte e lidhur fort nga dashuria për Kosovën dhe këtë më së miri e tregon thënia e saj: “Kosova më bën krenare më së shumti në gjithë karrierën time”. Kosova është me fat që pati një mbrojtëse e mike të tillë. Unë dhe Partia Demokratike e Kosovës bashkëndjejmë me dhembjen e popullit amerikan dhe të familjes së saj. Nderimet më të larta e të përjetshme për jetën dhe veprën e Madeleine Albright.





