ELBASAN- Kryeministri Edi Rama ka folur për herë të parë për vdekjen e të riut Lear Kurti. Nga Elbasani, ai u shpreh se ka që ditën e djeshme që përflitet se i riu është vrarë nga Qeveria dhe nga shteti. Më tej, ai shton se opozita kërkon që këtë çështje ta lidhë me atë të Klodian Rashës, duke tentuar që t’i nxjerrë njerëzit në rrugë. Rama deklaron se çështja për Kurtin është duke u ndjekur nga autoritetet përkatëse madje shton se për këtë janë pezulluar tre policë.
“Kanë që dje që akuzojnë policinë e shtetit se ka vrarë një djalë të ri, ndërkohë në mënyrën me korrekte dhe seriozë policia ka pezulluar personat që mos jenë të përfshirë në asnjë proces. Është ngarkuar agjencia përkatëse është mjekësia ligjore dhe nuk ka asnjë shenjë që të ketë pasur ndonjë arsye nga jashtë dhe gjithsesi të gjithë presim përfundimin, raportin e mjekësisë ligjore. Po si është e mundur, po çfarë lloj qeniesh janë këto, që ju dalin njerëzve si gogolë në ekrane e televizorëve. Në ato ekrane ku ju e shikoni, Megjithëse flasim për një regjim që kontrollin gjithçka, praktikisht ne nuk kontrollojmë asgjë, sepse ato janë ekran në një barrikadë kundër qeverisë për arsye të pranuarve të tyre.
Duan ta lidhin në psikologjinë e njerëzve me atë tmerrin e madh që ishte në atë rast një tmerr i vërtetë të të ndjerit Klodian Rasha dhe duan ti nxjerrin rrugëve. Pasi në mëngjes dalin e vrau e vrau policia, del pasdite një deputet dhe tregon si regjimi i prish biznesin”, tha Rama nga Elbasani.
Lear Kurti humbi jetën pasi u shoqërua nga efektivët në komisariatin nr.3. Ai u ndalua dy netë më parë, në orën 23:07 të mbrëmjes nga efektivët në rrugën “Riza Çuka” në Laprakë, por ka vrapuar. Siç sqarohet në njoftimin e policisë, i riu është kapur pas ndjekje, është dërguar në komisariat, ku ka shfaqur problemet e para shëndetësore. Fillimisht u aludua se i riu vuante nga epilepsia, më pas, në deklaratën zyrtare u tha se i riu kishte gëlltitur një qese me lëndë narkotike. Kontradikta është në faktin që efektivët pretendojnë se ka ndërruar jetë në spital, ndërsa bluzat e bardha të Traumës thonë se Kurti ka mbërritur pa shenja jete në duart e tyre. Paraprakisht, nga hetimet e derimë tanishme, është deklaruar se në trupin e viktimës nuk kishte shenja dhune. Por për kryedemokratin Sali Berisha, Kurti u vra nga Policia dhe ngjarja po mundohet që të mbulohet ashtu si rasti i Klodian Rashës, 2 vite më parë, i cili u qëllua për vdekje nga një efektiv policie.