Në reagimin e gjatë që kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, bëri sot pas arrestimeve nga SPAK të ish-drejtorëve dhe zyrtarëve të kësaj bashkie, në një pasazh pati edhe një mesazh duke përmendur ish-zëvendëskryeministrin Arben Ahmetaj.
Duke theksuar se ai nuk e dinte se ç’bënin drejtorët e bashkisë pas shpinës së tij, vuri në dukje se gjithashtu edhe kryeministri Edi Rama nuk mund ta dinte se zëvendësi i tij, Arben Ahmetaj bënte pisllëqe pas shpinës së tij.
“Tani ka një pyetje, sa brutale aq edhe banale, që ngrihet rëndom nga inkuizitorët mesjetarë, sigurimsat modernë dhe prokurorët mediatikë nëpër banaqe televizionesh, kurdo që SPAKU vepron ndaj një zyrtari të caktuar: Si ka mundësi të mos i dinte këto Edi Rama dhe si mund të ndodhi që, deri edhe zëvendësi i tij, një person që sot është në kërkim nga drejtësia, t’i bëjë këto pisllëqet e mëdha për të cilat akuzohet, pa bekimin e kryeministrit?
Më falni! Po pse, në cilën pjesë të funksionit të tij të përcaktuar me Kushtetutë dhe dispozita ligjore, kryeministri duhet të përgjojë zëvendësin e tij apo cilindo zyrtar tjetër, me të cilin e lidh puna, kur këta të fundit e ushtrojnë influencën e postit dhe i përdorin lidhjet e tyre me X-in ose Y-in, për të përfituar në mënyrë të paligjshme?!”, tha Veliaj.