Vajza 7-vjeçare nga Shkodra, e cila dyshohet se u helmua nga ilaçi i minjve ka arritur që t’i shpëtojë rrezikut për jetën.
Pas 10 ditësh në terapi intensive në Reanimacionin e Pediatrisë në QSUT, mjekët ia kanë dalë ta mbajnë në jetë duke bërë që e mitura ta kalojë gjendjen e rëndë shëndetësore. Pas trajtimeve dhe kujdesit intensiv në këtë shërbim, e mitura e ka kaluar rrezikun për jetën.
Burime nga stafi i mjekëve bëjnë të ditur se vajza tashmë ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore dhe pritet të lërë spitalin për t’u kthyer në shtëpi. Ditë më parë vajza humbi vëllain e saj 3-vjeçar, i cili nuk mundi t’i mbijetonte intoksikacionit të fortë nga ilaçi i minjve që prindërit kishin përdorur për të spërkatur një mjedis pranë shtëpisë
Ndërkohë mësohet se 7-vjeçarja sapo është bërë me një motër. Disa ditë pas tragjedisë, nëna e saj ka sjellë në jetë fëmijën e tretë, e cila është vajzë.
Prokuroria e Shkodrës ka nisur një hetim pas humbjes së jetës të 3-vjeçarit duke regjistruar një procedim penal. Hetimi përfshin marrjen në pyetje të mjekëve nëse janë respektuar protokollet mjekësore si dhe të familjarëve të 3-vjeçarit që ndërroi jetë. Zyrtarisht shkaku i vdekjes së 3-vjeçarit nuk është bërë ende i ditur edhe pse është bërë analiza toksikologjike.