DIBËR- Kryeministri Edi Rama ka komentuar vendimin e Gjykatës së Strasburgut ditën e djeshme për vrasjet e 21 janarit. Në Asamblenë e Përgjithshme të PS-së në Dibër, Rama u shpreh se vrasjen janë krim shtetëror dhe me urdhër të drejtëpërdrejtë nga qeveria. Po ashtu ai theksoi se 21 janari është nga ato krime, ku merr kuptim fjala drejtësia vonon por nuk harron. Ai theksoi se çdo kush do të marrë ndëshkimin që meriton për 4 vrasjet.
“Gjykata e të drejtave të njeriut dje nxori vendimin duke praktikisht e rrëzuar të gjithë procesin farsë që është zhvilluar në Shqipëri për 21 janarin dhe duke nënvizuar atë që është me elementarja në trajtimin e asaj ngjarje dhe që do të ishte trajtuar pa diskutim ashtu sic e nënvizon sot GJDNJ nga çdo vend demokratik evropian ku drejtësia është e pavarura dhe ku pushteti ekzekutiv, qeveria nuk ja mban dorën drejtësisë. Do ishte gjykuar zinxhiri i komandimit. Aty nuk është fjala për cili nga plumbat që dolën nga foletë e armëve vrau dhe cili nuk vrau. Aty janë qëlluar pafundësi plumbash ndaj protestuesve që nuk paraqisnin asnjë rrezik për askënd. Prandaj çështja është që si ka mundësi që pushkët e shtetit vranë qytetarët e këtij shteti dhe si ka mundësi që pasi u vranë qytetarët e këtij shteti me pushkët e shtetit ky vend nuk pa asnjë drejtësi, por pa vetëm një rivrasje të dytë, një poshtërim të familjeve që humbën njerëzit e tyre. Ky vendim i Strasburgut është mishërimi më konkret, më i freskët, i shprehjes drejtësia mund të vonojë, por nuk harron. 21 janari është një nga ato krime për të cilat mund të ndodhë që vonesa e drejtësisë mund të jetë më e gjatë sesa drejtësia e vonuar, por është një nga ato krime që kurrë nuk mbeten pa ndëshkuar, në cilindo moment sado vonë. Nuk është e mundur, sepse është një krim shtetëror, krim me urdhër drejtpërdrejtë qeverie. Ky vendim është një tjetër kulm në një rrugë të rre që sapo është hapur për drejtësinë në Shqipëri”, tha Rama.