Vetëdorëzohet bashkë me armën 25-vjeçari, plagosi kushëririn e kryebashkiakut Halilaj

0

Vetëdorëzohet bashkë me armën në polici, autori i plagosjes me armë zjarri mëngjesin e së mërkurës në qytetin e Kukësit, Sebastian Muçmata, vëllai i Zenel Muçmatës që mban postin e drejtorit të shërbimeve në bashkinë Kukës.

Sipas njoftimit zyrtar të policisë Kukës, vetëdorëzimi u bë i mundur pas kontrolleve të vazhdueshme dhe komunikimeve intensive me familjarët e autorit.

Sipas informacioneve nga vendngjarja mësohet se i plagosuri është identifikuar 29-vjeçari Elvis Halilaj, (kushëriri i Kryetarit të Bashkisë Kukës Albert Halilaj).

Pas përplasjes fizike Elvis Halilaj është larguar në drejtim të fshatit të tij, por është ndjekur nga autori dhe kur ka ndaluar pranë banesës makina e Halilajt, autori e ka qëlluar një herë më armë zjarri.

Më poshtë njoftimi i plotë i policisë

Në vijim të informacionit të dhënë më herët, lidhur me plagosjen me armë zjarri të shtetasit E. H., gjatë një konflikti për motive të dobëta, ju informojmë se:

Falë veprimeve të shpejta dhe intensive hetimore, kontrolleve të pandërprera të Policisë dhe komunikimit të vazhdueshëm me familjarët, rreth orës 21:00, autori i dyshuar, shtetasi S. M., 25 vjeç, banues në Kukës, është vetëdorëzuar së bashku me armën e zjarrit tip pistoletë, që dyshohet se e ka përdorur në këtë ngjarje.

Nën drejtimin e Prokurorisë, vijon puna për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes.