Dy emigrantë të paligjshëm janë burgosur pasi policia bastisi një fermë gjigante kanabisi me vlerën e 2 mln paund vetëm 246 metra larg një stacioni policie.
Shqiptarët Emiljan Gjura, 31 vjeç dhe Ermir Reshiti 35 vjeç, u mbyllën prapa hekurave dy vjet për pjesët e tyre në operacionin e sofistikuar të kultivimit të drogës në qytetin turistik bregdetar të Southend-on-Sea, Essex.
Më shumë se 3000 bimë u kapën nga Policia pasi zbuluan plantacionin e madh të shpërndarë në pesë njësi industriale.
“Daily mail” shkruan se në mënyrë tronditëse banda e pacipë kishte ngritur fermën vetëm 270 metra nga Stacioni i Policisë në Southend-on-Sea dhe e ruajti atë me CCTV.
Gjura dhe Reshiti kishin jetuar në fabrikën e drogës, duke punuar si kopshtarë.
Të dy pretendojnë se kanë shkuar në Mbretërinë e Bashkuar për të fituar para për të ndihmuar familjet e tyre – por asnjëri nga burrat nuk bashkëpunoi me Policinë e Essex dhe nuk pranuan të zbulojnë se kush i rekrutoi.
Ata u dënuan dje në Gjykatën e Kurorës në Basildon pasi më parë u deklaruan fajtorë për akuzat.
Duke dënuar dyshen, gjykatësi Ian Graham tha: “Ky ishte një operacion i sofistikuar me kamera sigurie për të mbrojtur transportin e drogave brenda njësive. Ju nuk keni dhënë asnjë indikacion se kush ju rekrutoi dhe ju vendosi në këtë operacion. Ju dënoj të dy me dy vjet burg menjëherë.”
Duke folur pas bastisjes, Komandanti i Qarkut në Southend, Kryeinspektori Ian Hughes, tha: ‘Ky është një rezultat i shkëlqyeshëm, jo vetëm për Southend, por për të gjithë qarkun.
“Ekspertët e drogës vlerësojnë se kanabisi do të kishte vlerë më shumë se dy milion paund në rrugë, dhe nuk kam dyshim se ky sekuestrim do të ketë një ndikim të madh në tregun e drogave në Southend”.