“Poezia si kujtesë”, aktiviteti poetik i zhvilluar në Teatrin “Skampa” në Elbasan, bëri bashkë poetë, studentë dhe nxënës në një homazh për poetët dhe shkrimtarët e vrarë, të burgosur dhe të internuar gjatë diktaturës komuniste.Aktiviteti u organizua në kuadër të 21 Majit, Ditës së Qëndresës ndaj Regjimit Totalitar, me synimin për të sjellë tek të rinjtë kujtesën historike përmes letërsisë dhe poezisë.
Të rinjtë pjesëmarrës e cilësuan poezinë dhe librin si elementë të rëndësishëm për formimin kulturor dhe shpirtëror të brezit të ri.
Organizatorët thanë se aktiviteti synon të mbajë gjallë kujtesën për poetët e dënuar nga regjimi komunist dhe të ndërgjegjësojë brezat e rinj për të kaluarën.Poetja Rita Petro e cilësoi dënimin e poetëve një nga aktet më çnjerëzore të regjimit komunist.
Në aktivitet u sollën edhe vargje të poetëve Vilson Blloshmi dhe Genc Leka, me mesazhin që historia të shërbejë për ndërtimin e një shoqërie më demokratike dhe tolerante.Përfaqësues të Institutit për Demokraci, Media dhe Kulturë theksuan rëndësinë e ruajtjes së kujtesës historike.
Përmes poezisë dhe reflektimit mbi të shkuarën, aktiviteti solli një mesazh të qartë për brezin e ri: liria e fjalës dhe memoria historike janë vlera që duhet të mbrohen çdo ditë.





