Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka hartuar një plan të posaçëm masash në kuadër të festave të fundvitit, me synim garantimin e sigurisë ushqimore dhe mbrojtjen e shëndetit të konsumatorëve. Sipas inspektorit të këtij institucioni në Elbasan, Firdus Kurti, në fokus të planit janë subjektet me risk të lartë në fushën e prodhimit dhe shpërndarjes së produkteve ushqimore.
Gjatë këtij viti kalendarik, Kurti bën me dije se janë marrë 24 masa administrative me gjobë, janë dhënë 40 paralajmërime për shkelje të lehta, si dhe është pezulluar aktiviteti i 5 subjekteve.
Fundviti përfaqëson periudhën me fluksin më të lartë të shitjeve, çka krijon edhe hapësira për abuzime. Në këtë kuadër, AKU Elbasan u bën thirrje qytetarëve të denoncojnë çdo formë shkeljeje dhe të shmangin blerjen e produkteve shtazore që tregtohen në rrugë apo jashtë kushteve të sigurisë ushqimore.





