Dëbora e fundmarsit, e cila preku zonat malore të Elbasanit, ka shkaktuar dëme në bujqësi, veçanërisht në pemëtari. Gati në të gjitha fshatrat e Njësisë Administrative Gjinar, si Pashtresh, Derstilë, Pobrat dhe Valwsh, dëmet janë të konsiderueshme, sidomos për sa i përket kulturave të kumbullës, qershisë, mollës, thanës dhe dardhës.Fermerët thonë se sythat janë dëmtuar të paktën në masën 50%, duke bërë që mundi dhe shpenzimet e tyre të shkojnë dëm. Ata shprehen se kjo situatë rrezikon seriozisht prodhimin e këtij sezoni, si dhe të ardhurat e familjeve që varen nga bujqësia.
Në një kohë kur “kapriçot” e motit janë bërë gjithnjë e më të shpeshta, fermerët e Gjinarit në Elbasan kërkojnë mbështetje nga shteti, qoftë përmes subvencioneve apo skemave të kompensimit të dëmeve.
Stuhitë me breshër dhe reshjet e pazakonta të dëborës në pranverë kanë qenë të shpeshta edhe në bashkitë e tjera të Qarkut të Elbasanit, duke rritur pasigurinë për sektorin bujqësor dhe duke vënë në vështirësi fermerët në gjithë zonën./Infoweb Media





