Viti 2025 ka qenë një vit me zhvillime dhe suksese për Klubin Shumësportësh në qytetin e Elbasanit, duke regjistruar arritje të rëndësishme si në sportet kolektive, ashtu edhe në ato individuale. Muaji nëntor solli rezultatet më të larta, duke e kthyer atë në një pikë kulmore të sezonit.
Për drejtuesin e Agjencisë së Sportit, Artit dhe Rinisë në Bashkinë e Elbasanit, Artin Kovaçi, shqetësim mbeten sportet e lojërave me dorë, për shkak të një handikapi ligjor që, sipas tij, e ka vendosur këtë sektor në një fazë tranzicioni.
Infrastruktura moderne dhe vëmendja që i është kushtuar sportit gjatë vitit 2025 kanë krijuar bazat që viti 2026 të sjellë të paktën tre evente mbarëkombëtare në Elbasan.
Ndërkohë, viti 2025 do të mbyllet me një mbrëmje Gala, e cila do të zhvillohet më 23 dhjetor. Në këtë aktivitet do të nderohen figurat më të ndritura sportive të Elbasanit ndër vite ,një shenjë mirënjohjeje për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm.





