VIDEO/Koncert “Tinguj Zemre -Ne nuk jemi ndryshe” në Elbasan

0
Screenshot

 

Në skenën e Teatrit “Skampa” në Elbasan u prezantua koncerti “Tinguj Zemre -Ne nuk jemi ndryshe”, ku protagonistë ishin të rinj me aftësi ndryshe.
Mbrëmja i kushtohej fuqizimit, përfshirjes dhe forcës shëruese të artit, ndërsa të rinjtë, pavarësisht sfidave që u ka servirur jeta, sollën përpara publikut talentin, gëzimin dhe potencialin e tyre të jashtëzakonshëm. Publiku i priti me duartrokitje të gjata çdo performancë.

Koncerti u shndërrua në një thirrje të qetë, por të fuqishme, për më shumë dashuri, solidaritet dhe pranueshmëri në komunitet. Sipas koncertmaestres Laura Lila, procesi i përgatitjes nuk ka qenë i vështirë, pavarësisht aftësive të ndryshme fizike të secilit prej interpretuesve.

Nën moderimin e Jamarbër Hoxhës, artistët e rinj shpalosën talentin e tyre si solistë dhe si pjesë e korit, duke interpretuan një repertor të pasur me këngë shqiptare dhe të huaja, si në formatin solo, ashtu edhe në ansambël.

Ky koncert erdhi si bashkëpunim i Këshillit të Qarkut Elbasan, dhe Qendrës “Art-Act-Al”, duke sjellë një aktivitet që promovon artin, diversitetin dhe fuqinë e bashkimit përmes muzikës.