VIDEO/Mbyllet kursi UEFA B në Elbasan, trajnerë të rinj marrin licencën

0
Screenshot

Federata Shqiptare e Futbollit përmbylli me sukses kursin UEFA B të zhvilluar në qytetin e Elbasanit, ku u certifikuan dhjetëra trajnerë të rinj, mes tyre futbollistë aktivë dhe ish-futbollistë të njohur. Gjatë këtij kursi, pjesëmarrësit përfituan njohuri të thelluara si në aspektin teorik, ashtu edhe në atë praktik, duke u përgatitur në mënyrë profesionale për sfidat e trajningut modern. Në ceremoninë e shpërndarjes së licencave dhe certifikatave ishin të pranishëm koordinatori për çështjet teknike nga zyra e presidentit të FSHF-së, Abdyl Kuriu, koordinatori dhe lektori i kurseve në FSHF, Alban Tafaj, si edhe kryetari i Shoqatës Rajonale të Elbasanit, Ilirjan File. Për zonën e Elbasanit, ky ishte kursi i dytë UEFA B, një mundësi shumë e vlefshme për zhvillimin profesional të trajnerëve të rinj.

Vetë kursantët, tashmë të pajisur me Licencën UEFA B, theksuan rëndësinë e këtij formimi për të ardhmen e tyre në futboll, duke vlerësuar lart cilësinë e organizimit dhe profesionalizmin e stafit drejtues.

Prej vitesh, Federata Shqiptare e Futbollit vijon të dëshmojë përkushtim të jashtëzakonshëm në zhvillimin e brezit të ri të trajnerëve, duke organizuar kurse cilësore në të gjithë vendin dhe duke kontribuar ndjeshëm në rritjen e standardeve të futbollit shqiptar./Infoweb Media