Konsulli i nderit i Shqipërisë në Kharkiv, Shahin Omarov, ka përshkruar se si ka ndodhur e gjithë ngjarja e bombardimit të godinës së kosullatës në Ukrainë nga forcat ruse kur brenda saj kishte punonjës.
Gjithashtu Omarov ka treguar se forcat zjarrfikëse kanë mbërritur me vonesë në vendin e ngjarjes dhe kjo për shkak të përplasjes që kishin me ushtrinë ruse.
“Sot situata është shumë e vështirë. Dje në orën 23:00 pati një sulm ushtarak në Kharkiv dhe disa bomba përfunduan në godinën e Konsullatës së Nderit në Kharkiv.
Bombat ranë në katin e dytë dhe të tretë ndërkohë që zyra është në katin e parë. Pati një zjarr dhe më pas gjithë godina u përfshi në flakë. Në të njëjtën kohë në godinë ishin dhe punonjësit, që punonin dhe jetonin aty.
Menjëherë është evakuuar i gjithë stafi që të mos përfshiheshin nga flakët.
Është e vështirë të dalësh nga godina kur është e përfshirë nga flakët teksa ajo vijoi të digjej gjatë gjithë natës.
Në orën 8 kanë mbërritur forcat zjarrfikëse sepse ka qenë e pamundur të vinin më parë sepse kishte një përplasje mes ushtirsë ruse dhe zjarrfikëses. Edhe pse të gjitha katet janë djeguar, godina vijon të qëndroj në këmbë.”- tha Konsulli i Nderit Shahin Omarov për “Zona Zero.
Dalin pamjet e shkatërrimit të godinës së konsullatës shqiptare në Ukrainë. Pamjet janë publikuar nga konsullata shqiptare e nderit, duke dhënë edhe detaje.
“Më 6 mars, në orën 23:15, u bombardua Konsullata e Nderit e Republikës së Shqipërisë. Si rezultat i një sulmi ajror nga trupat ruse në qytetin e Kharkiv, disa predha goditën ndërtesën në rrugën. Akademiku Proskura 1, ku ndodhet Konsullata e Nderit e Republikës së Shqipërisë, ka marrë flakë dhe është shkatërruar godinën”, thuhet në reagimin e konsullatës.
Ndërsa bëhet e ditur se “Konsulli i Nderit, OMAROV SHAKHIN ANVEROVICH dhe stafi i konsullatës janë aktualisht të sigurt”.
Fillimisht do të ishte ministria e Jashtme shqiptare që do të dënonte sulmin mbi konsullatën shqiptare.
“Shqipëria e dënon me forcë agresionin rus që solli shkatërrimin e konsullatës së nderit të Shqipërisë në Kharkiv. Autorët do të mbajnë përgjegjësi”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Jashtme.