KOSOVË- Seanca e sotme në Kuvendin e Kosovës ka dështuar sërish pas votimit të kandidatit të Lëvizjes Vetëvendosje. Seanca nisi në orën 11:00 me shpresën për konstituimin e Kuvendit. Edhe në votimin e sotëm nuk u arrit të zgjidhej kryeparlamentari ndërsa seanca e radhës do të mbahet më 24 gusht.
Lëvizja Vetëvendosje propozoi për kryetar të Kuvendit, Hekuran Muratin, i cili aktualisht është ministër i Financave. Ai mori 57 vota pro, 58 kundër dhe kanë abstenuar 6 deputetë. Seanca e sotme vjen pas dështimit të regjistruar më 22 gusht ku Albulena Haxhiu dhe Donika Gërvalla nuk arritën të merrnin votat e duhura për të marrë postin.
Gjykata Kushtetuese publikoi aktgjykimin e plotë për çështjen e konstituimit të Kuvendit. Më 8 gusht, Kushtetuesja ka urdhëruar Kuvendin që brenda 30-ditësh të zgjedhë kryeparlamentarin e ri përmes votimit të hapur, duke e hedhur në votim të njëjtin kandidat jo më shumë se tri herë.
Me publikimin e aktgjykimit të plotë, nis edhe rrjedhja e afatit 30-ditor, që nënkupton se deputetët nga sot mund të mblidhen për të konstituuar Kuvendin. Çështja e trajtuar lidhur me formën e votimit të kryeparlamentarit është ngritur nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike. Por, Gjykata tha se kërkesat e lëndëve ndërlidhen edhe me lëndën e dorëzuar paraprakisht nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.





