KOSOVË- Mëngjesin e sotëm, Drejtoria e Krimeve të Rënda bashkë me Drejtorinë Rajonale të Policisë në Prizren kanë vazhduar kontrollet për rastin “Kobra”. Këtë e konfirmoi zëdhënësi i Policisë në Prizren, Shaqir Bytyqi. Ai tha se kontrolli është kryer në tri lokacione dhe se përsëri është bastis lokali “Kobra City”.
“Sot gjatë ditës Drejtoria e Krimeve të Rënda në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të Policisë në Prizren kanë vazhduar bastisjet në tri lokacione, derisa është bastis edhe lokali “Kobra City”. Gjatë këtyre bastisjeve janë sekuestruar disa gjëra, që mund të përdoren si prova”, tha Bytyqi.
Ai tha se në njërën shtëpi të njërit nga të dyshuarit janë gjetur disa fishekë dhe një granatë dore.
“Rasti është iniciuar si “Mbajtje apo posedim i paautorizuar i armëve”, tha ai.
Mëngjesin e 3 janarit në dalje të Prizrenit mbeti i vrarë një 31-vjeçar nga Kukësi dhe u plagos një 27-vjeçar. Në ditën tragjike, Kryeprokurori Admir Shala tha se konflikti ka nisur në lokalin “Kobra City” lidhur me pagesën e faturës së shërbimeve. Aktualisht Kobra dhe pesë të dyshuarit tjerë gjenden në paraburgim.