Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka regjistruar procedimin penal nr. 1073, datë 24.07.2025, për dy vepra të rënda penale ndaj tre shtetasve, pas një ngjarjeje të rëndë të ndodhur në fshatin Frashër.
Ngjarja ndodhi më 23 korrik 2025, rreth orës 21:16, kur në Sallën Operative Fier u bë një telefonatë për një person të dëmtuar në banesën e tij. Ambulanca e Spitalit Rajonal Fier mbërriti në vendngjarje dhe gjeti shtetasin Anesti Rama R. të pajetë në sallonin e shtëpisë, i veshur me kostum dhe këmishë.
Hetimet paraprake zbuluan se trupi i viktimës kishte dëmtime të dukshme në fytyrë dhe në pjesën ballore të kokës. Fillimisht, familjarët pretenduan se A.R. ishte rrëzuar në tualet. Sipas deklarimeve të së bijës, E.R., dhe bashkëshortes së viktimës, V.R., ato e kishin gjetur pa shenja jete në tualet dhe më pas e kishin pastruar dhe veshur për qëllime ceremoniale, duke pastruar edhe vendin e ngjarjes.
Megjithatë, pas veprimeve të para hetimore dhe përdorimit të metodave proaktive të hetimit, Prokuroria arrestoi në flagrancë shtetasen E.R., të dyshuar për “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare” në bashkëpunim, si dhe V.R., për “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”. Po ashtu, u ndalua me iniciativë shtetasi Ç.D., i dyshuar për bashkëpunim në vrasje.
Prokuroria kërkoi dhe mori miratimin nga gjykata për masën e sigurisë “arrest në burg” për të tre personat nën hetim.
Në njoftimin zyrtar, Prokuroria e Fierit theksoi se do të vijojë me përkushtim hetimin e plotë të ngjarjes dhe vendosjen përpara drejtësisë të çdo personi që kryen vepra penale kundër jetës.





