Ish-polici i burgjeve, Gentjan Bejtja u vra më 15 mars në oborrin e shtëpisë përmes një atentati të mirëorganizuar në Larushkë të Fushë Krujës.
Bejtja u kishte shpëtuar tri atentateve, por i katërti ishte fatal për të. Teksa ndodhej në oborrin e banesës, persona të maskuar e qëlluan me breshëri plumbash.
Pas shumë ngjarjesh kriminale, vrasje që për disa vite me radhë ndodhnin nga Jugu në Veri, të gjitha rrugët e çonin Policinë drejt Fushë-Krujës dhe zonave përreth.
Për krime që ndodhnin aty por edhe për krime, provat e të cilave fshiheshin po aty. Duket se herë pas here rrugët e ngjarjeve të rënda që ndodhnin në çdo skaj të Shqipërisë kryqëzoheshin atje.
E në fakt ashtu rezultoi edhe nga bisedat e SKY që u zbërthyen vitet e fundit dhe nga SPAK, që zbuloi edhe aleancat e krimit.
Atje digjen makina e armë të përdorura në vrasje. Herë pas here atje rekrutohen të rinj nga grupe kriminale, për të realizuar vjedhje, për të gjetur armë e madje edhe për të vrarë.
Ndodh që shumë ngjarje atje mbeten pa autor. Të paktën pa autor të provuar, pasi në fakt janë të njëjtët eksponentë, emrat e të cilëve dalin në skenë pas çdo ngjarjeje kriminale.
Shoqërohen e lirohen për mungesë provash. Ashtu sikurse edhe Durim Bami, vëllai i tij, Valter Bami, Marklen Haka, apo edhe Gentian Bejtja që u vra 15 marsin e vitit 2024.
Por banorët e këtyre zonave zgjedhin t’i zgjidhin vetë hallet e tyre. Ndër vite ata kanë preferuar vetëgjyqësinë.
Policia i ka vizituar shpesh, por po aq shpesh është kthyer mbrapsht ashtu siç ka shkuar. Banorët e fshatrave përreth Fushë-Krujës janë stërvitur ndër vite që problemet t’i zgjidhin pa shtet, por mes njëri-tjetrit.
Dhe rezultatet flasin vetë.
Atentate që herë dështojnë e që herë pas here vrasin të pafajshëm. Ashtu siç u vra gabimisht halla e Marklen Hakës në Nikël, edhe më 4 korrik 2023 u vra kunati i Gentjan Bejtjas, në Larushkë e u plagosën djemtë e tij të mitur 13 e 10 vjeç.
Policia për shumë kohë numëronte gëzhojat e makinat që digjeshin. Shoqëronte të njëjtët personazhe gjithmonë, që përfundonin sërish duke u lënë të lirë.
E rezultati ishte po i njëjtë.
Hesape të vjetra që mbyllen e varre të reja që hapen. Madje në ndonjë rast, dikush edhe pse mendohet i vdekur, as varr nuk ka…
Ndërsa sot duket se gjërat kanë ndryshuar. Bisedat e zhvilluara në SKY bënë që SPAK tashmë të ketë emra konkret autorësh që kanë porositur vrasje, që kanë kryer krime e që kanë bashkëpunuar për të zhdukur provat, madje edhe kufomat.
Ekspozimi më i madh i grupeve të Fushë-Krujës ishte në vitin 2013, atëherë kur u arrestuan Enver Stafuka dhe Gentian Bejtja, në lidhje me atentatin ku mbeti i vrarë kryekomisari Dritan Lamaj. Bejtja qëndroi pak kohë në qeli dhe u hetua në gjendje të lirë e pas një kohë pak më të gjatë në burg, u lirua edhe Stafuka.
Por pas këtij momenti gjërat nisën të ndryshojnë. Ndërsa shkëputja përfundimtare ndodhi pas një atentati që ndodhi më 5 janar të vitit 2015, kur u qëllua ndaj Emiljano Shullzit e Gilmando Danit. Një muaj më vonë u rrëmbye dhe rezulton i zhdukur sot e kësaj ditë, miku i Bejtjas, Enver Stafuka.
Pas kësaj ngjarje grupet e Fushë-Krujës u përçanë përfundimisht e atentatet në dy krahët e rrugës nacionale, mes Niklës e Larushkës nuk do të mungonin. Historia më vonë do të tregonte se në fakt gjithçka ishte pasojë e ngjarjeve ku vetë ata ishin përfshirë, në mos drejtpërdrejt, në forma të tjera që i bënin po aq përgjegjës. Aq sa nisën të përfshihen edhe në aleanca të fuqishme me grupet më të mëdha kriminale në vend. E duket se gjithçka sillej rreth Durim Bamit. Pa çka se nuk u arrit të provohej asnjëherë ligjërisht, ai u përfol për disa nga krimet më të rënda që ndodhën vitet e fundit.
Ashtu sikurse edhe për vrasjen e Gentian Bejtes më 15 mars 2024. Për këtë ngjarje tashmë u arrestuan 3 persona. Ilir Beqaraj e Edison Haxhiu, që u prangosën vetëm disa ditë pas krimit dhe Flodian Plaku, më shumë se një vit pas vrasjes së Bejtes.
Ky është momenti kur forcat operacionale prangosën në një hotel në Orikum të Vlorës, 42-vjeçarin Flodian Plaku.
I konsideruar si një person me rrezikshmëri të lartë, i dyshuar për krime brenda dhe jashtë vendit, Plaku u arrestua gjatë operacionit të koduar “Eterna”.
I njohur edhe me 2 emra të tjerë, por edhe me pseudonimin “Pole Qorri”, ai po mbahej në vëzhgim prej disa ditësh nga forcat operacionale, pasi ishte shpallur në kërkim për vrasjen e Gentian Bejtes më 15 mars të vitit 2024 në Larushkë të Fushë-Krujës.
Duke mbajtur në vëzhgim personat që e ndihmonin teksa i shmangej drejtësisë, Policia ra në gjurmët e tij dhe më 3 gusht 2025 e arrestoi.
Gjatë ndërhyrjes policore në hotelin ku fshihej, së bashku me Flodian Plakun, u kap edhe Julian Aliaj alias Julian Pashaj, 43 vjeç, i cili gjatë operacionit u kap me një armë zjarri pistoletë me një krehër me fishekë, por edhe 3 persona të tjerë që i kishin ardhur në ndihmë gjatë arratisë.
Nga hetimet rezultoi se Albano Lapshi, 36 vjeç, banues ne Vlorë, Armandoi Dano, 31 vjeç banues ne Vlore dhe Ligor Doko, 57 vjeç, banues në Tiranë, kanë ndihmuar në strehimin, komunikimin dhe lëvizjen e të kërkuarit për vrasje. Ata u arrestuan ne flagrancë për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”.
Njëtri ishte personi që i dërgonte ushqim në dhomën ku strehohej, tjetri ishte pronari i hotelit, ku edhe u arrestua, ndërsa personi i tretë, për të cilin gjykata vendosi masën “detyrim paraqitje”, ishte berberi, nga ku edhe u ndoq derisa u arrestua.
VRASJA E GENTIAN BEJTES
Më datë 15 mars të vitit 2024, rreth orës 16:25, në sallën Operative të Komisariatit të Policisë Krujë, është dhënë njoftim se persona të paidentifikuar kanë vrarë me armë zjarri në oborrin e banesës së tij Gentian Bejten, në fshatin Larushkë, të Fushë – Krujës. Menjëherë pas marrjes së njoftimit është formuar grupi hetimor me oficerë të policisë gjyqësore dhe ekspertë kriminalistë. Pas kryerjes së veprimeve të para hetimore dhe proceduriale ka rezultuar se, persona të armatosur, pasi kanë kaluar rrethimin e jashtëm të banesës së Gentian Bejtes, kanë hyrë brenda në oborr dhe kanë qëlluar disa herë me armë zjarri në drejtim të tij dhe si pasojë e të shtënave me armë zjarri ka gjetur vdekjen e menjëhershme.
Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes, brenda rrethimit të banesës, afër murit jugor është gjetur kufoma e Gentian Bejtes. Brenda këtij rrethimi është konstatuar një serë plastmasi, që ndodhej disa metra larg kufomës ku u gjetën, fiksuan dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 16 gëzhoja të kalibrit 7.62 mm. Gjithashtu, në pjesën e jashtme të serës, afër hyrjes, u fiksuan në cilësinë e provës materiale 2 gëzhoja të tjera, si dhe një foto e një personi të seksit mashkull, i paidentifikuar.
Pak minuta pas ngjarjes, në rrugën dytësore në fshatin Hasan, Fushë – Krujë, është konstatuar duke u djegur një automjet. Në vendin e ngjarjes kanë shkuar shërbimet e Policisë, të cilat kanë konstatuar automjetin “Land Rover”, në pamje të parë pa targa, i djegur plotësisht. Gjatë këqyrjes së këtij automjeti u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 4 armë zjarri, kallashnikov. Pranë këtij automjeti, në pjesën e përparme në tokë u gjetën, një targë AA 281 VG, në pjesën e pasme të mjetit në tokë u gjetën dy pjesë targe të dëmtuara si rezultat i zjarrit në automjet, ku dallohen numrat dhe germat 81VG.
Nga verifikimi në sistemin e-Gjoba, rezulton se targa AA281VG, i përket automjetit të markës “Hyundai” me ngjyrë të bardhë, të cilat ishin kallëzuar të vjedhura më 25 janar 2024 në Komisariatin nr. 6, në Tiranë. Mjeti gjetur i djegur në fshatin Hasan është transportuar në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë dhe nga rikëqyrja e tij është përftuar numri i shasisë. Nga verifikimet në sistemin e-gjoba, rezulton se automjeti “Land Rover”, me ngjyrë të zezë, është kallëzuar i vjedhur më datë 7 gusht 2023, në Komisariatin e Policisë Shkodër. Gjatë rikëqyrjes së këtij automjeti të djegur, në pjesën e brendshme të tij, u gjetën të shpërndara në formë të çrregullt 20 gëzhoja dhe 15 predha të kalibrit 7.62 mm të dëmtuara, deformuara dhe mbuluara nga bloza si pasojë e temperaturave të larta gjatë djegies së automjetit.
Në ambientet e Institutit të Mjekësisë Ligjore, Tiranë, është bërë këqyrja e kufomës se Gentian Bejtes dhe në trupin e tij janë konstatuar 30 plagë të shkaktuara nga armët e zjarrit. Pra, si rezultat i këqyrjes së vendit të ngjarjes, këqyrjes së automjetit dhe këqyrjes së kufomës janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 71 gëzhoja, 17 predha, katër armë zjarri, automjeti i dyshuar që është përdorur nga autorët në vendngjarje, si dhe provat e tjera.
Në lidhje me ngjarjen janë pyetur në cilësinë e personit që kanë dijeni për rrethana të dobishme për hetimin disa persona, mes të cilëve edhe Gani Bejtja, babai i Gentian Bejtes.
KONFLIKTET NË FUSHË – KRUJË
Këto breshëri plumbash, u shkrepën nga 3 kallashnikovë, në fshatin Larushkë të Krujës. Vetëm 15 minuta pasi kishte kaluar mesnata e kishte hyrë data 4 korrik 2023, një makinë nga ku zbritën 3 persona u sharrua nga të paktën 30 plumba. Plumba që nuk kursyen as dy fëmijë të mitur, 13 e 10 vjeç. Ndërsa daja i tyre mbeti i vrarë.
Objektivi në fakt ishte Gentian Bejtja. Pas dy atentateve të mëparshme, ku ishte plagosur, në atentatin e 4 korrikut ishin djemtë e tij të mitur që paguan për të. Ata u plagosën. Madje djali 13 vjeç, për orë të tëra luftoi me vdekjen në sallën e operacionit të Spitalit të Traumës. Një operacioni iu nënshtrua të nesërmen edhe djali 10-vjeçar. Ndërsa kunati i tij, Ramazan Sino, 29 vjeç, mbeti i vdekur në vend. Ai ishte bërë baba pak muaj më parë dhe prej disa vitesh ishte i punësuar si shofer në Prokurorinë e Apelit në Tiranë. Sipas Policisë, Sino u gjend rastësisht mes breshërisë së plumbave, njësoj si dy nipat e tij të mitur.
Gentian Bejtja kishte 10 ditë që ishte kthyer në Shqipëri. Udhëtonte e qëndronte shpesh jashtë vendit, kryesisht në Suedi e Norvegji, ku kishte kërkuar edhe azil, bashkë me gruan e 4 fëmijët, por i ishte refuzuar. Informacioni për kthimin e tij ishte përcjellë me shpejtësi tek kundërshtarët. Ata u vunë në lëvizje për ta eliminuar. Në atentatin e 4 korrikut 2023 dyshohet se ka kanë marrë pjesë tre presona. Pas një sinjalizimi të gabuar se Gentian Betja po kthehej me makinë në shtëpi, ata kanë ndjekur lëvizjet e objektivit të tyre, deri në momentin që kanë mbërritur pranë banesës.
Sapo kanë zbritur nga mjeti brenda oborrit, ndaj tyre u qëllua me breshëri plumbash. Në vendngjarje janë gjetur dhe sekuestruar mbi 30 gëzhoja kallashnikovi.
Pas krimit autorët janë larguar nga vendngjarja duke i vënë flakën makinës, bashkë me tre kallashnikovët brenda, në fshatin Tapizë, rreth 6.4 kilometër larg vendit të ngjarjes, distancë që përshkohet për më pak se 10 minuta me makinë.
Si gjithmonë, në atentate të tilla, makina rezultoi e vjedhur. Zyrtarisht policia tha se ka shoqëruar 3 persona për t’i marrë në pyetje, në cilësinë e personave që mund të kenë dijeni.
U shoqëruan dy vëllezërit, Durim dhe Valter Bamin, si dhe Marklen Haka, emra që në fakt janë të parët që Policia liston për t’i pyetur sa herë që ka ngjarje në, kryesisht në hapësirën mes fshatin Nikël e Larushkë. Megjithatë, siç ka ndodhur edhe më parë, disa orë pas shoqërimit ata u lanë të lirë.
Por 24 orë në vonë, Policia arrestoi Valter Bamin. Pas aktit të ekspertimit kimik për faktorë plotësues, rezultoi se 39-vjeçari kishte qëlluar me armë zjarri. Në dorën e majtë të tij, ekspertiza konstatoi gjurmë baruti, çka fakton se ka kryer qitje me armë zjarri. Disa orë pas urdhrit të lëshua nga Prokuroria e Tiranës më 6 korrik, rreth orës 20:30, në fshatin Greps, të Niklës, është lokalizuar, kapur dhe shoqëruar në ambientet e Policisë së Tiranë Valter Bami.
Por heqja e lirisë së Valter Bamit zgjati vetëm disa muaj. Në janar të vitit 2024 ai u la i lirë, pasi Gjykata e Tiranës ndryshoi masën e sigurisë, duke e lënë në “arrest shtëpie”.
Por në atentatin e katërt ndaj Gentian Bejtes, atentatorët e arritën qëllimin, duke e eliminuar. Në vijim të veprimeve hetimore është ushtruar kontroll në banesat e shtetasve Marklen Haka, Fatmir Koçi, Gentian Bejtja, Valter Bami, Vat Caka, Albert Sinanai (Hasneziraj), Shefqet Kullaj, Gazmir Saka dhe Fatmir Bami. Gjatë kontrollit në këto banesa janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale DVR dhe konkretisht në banesat e shtetasve Gentjan Bejtja, Fatmir Koçi, Marklen Haka dhe Valeter Bami, për të cilat është marrë vendimi për ekspertime kompjuterik.
Nisur nga historiku i mëparshëm, iu morën deklarime pothuajse të njëjtëve persona. Mes atyre që u morën në pyetje ishin edhe Valter Bami dhe Marklen Haka.




