Vrasja e gjyqtarit Kalaja/Pas gjyqtarëve bojkot dy ditor edhe nga avokatët

0

Pas vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja, Dhoma e Avokatisë shpall bojkot dyditor të të gjitha proceseve gjyqësore

Ngjarja e rëndë dhe e paprecedentë e ndodhur në sistemin e drejtësisë, me vrasjen e gjyqtarit të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, Astrit Kalaja, ka sjellë reagimin e menjëhershëm të Dhomës së Avokatisë së Shqipërisë.

Komiteti Drejtues i Dhomës së Avokatisë ka vendosur unanimisht të bojkotojë të gjitha proceset hetimore dhe ato gjyqësore penale, civile dhe administrative, në të gjitha nivelet e gjykimit, më 9 dhe 10 tetor 2025.

Në njoftim theksohet se ky vendim është një thirrje për ndërgjegjësim dhe përgjegjësi maksimale drejtuar opinionit publik, politikës shqiptare, Këshillit të Lartë Gjyqësor, Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektorit të Lartë të Drejtësisë dhe të gjitha palëve të përfshira, për sigurimin e jetës, shëndetit dhe veprimtarisë së gjyqtarëve, prokurorëve dhe avokatëve gjatë ushtrimit të detyrave të tyre.

Dhoma e Avokatisë sqaron se ky bojkot nuk përfshin masat e sigurimit në proceset penale, ndërsa u kërkon të gjithë kryetarëve të dhomave vendore të avokatisë zbatimin e menjëhershëm të vendimit.