Vrasja e Liridonës/ Besa mbaroi! Babai i Naimit: Le të na vrasin! Policia po ruan shtëpinë!

0

KOSOVË- Vrasja e 30-vjeçares, Liridona Ademaj pak ditë më parë në Prishtinë ka lënë një gjurmë të thellë trishtimi në mbarë opinionin publik. E reja la pas dy fëmijët e saj të mitur. Ndërsa policia ka vënë në pranga 3 persona të dyshuar për ngjarjen, personin që kreu vrasjen, Granit Plava, bashkëshortin e saj, që dyshohet se porositi eliminimin e saj dhe një bashkëpunëtor të tyre, Kushtrim Kokalla.

Një ditë pas ngjarjes së rëndë, familjeve të të dyshuarve u janë dhënë dy ditë besë, dhe se më pas do të përgjigjeshin me Kanun ndaj këtij rasti. Indeksonline ka kontaktuar babain e Naimit, Shaban Murselin, i cili thotë se sot është vizituar nga pjesëtarë të familjes Ademaj, të cilët i kanë thënë se kanë përfunduar ditët e besës. Ai thotë se shtëpia e tij po ruhet nga Policia e Kosovës dhe se nuk ka se çka të bëjë lidhur me këtë situatë.

“Na kanë ardhë sonte dy persona dhe na kanë thënë qe “na kërkojmë gjak”. Thonë se dojnë përmes Kanunit me e zgjidhë këtë çështje. Tek të tri familjet, dhe jo vetëm tek unë. Unë nuk muj me i thanë dikujt “mos më vraj”. Kur të don le të më vrajnë, unë s’kam çka me ba. S’kam zgjidhje. Policia m’kanë pas thanë që çdo lëvizje, çdo mesazh, me na lajmëru. I thirra e iu thash që jam i kërcënum me jetë. Iu thash që i kam dy fëmijë të mitur në shtëpi. Tash i kam dy patrolla të policisë që janë tu e rujtë shpinë. Ishte edhe një hetues civil. Unë e kam për nipat, se mu të më vrasin kur të dojnë”, tha Murseli.

Por, një gjë të tillë e ka mohuar vëllau i Liridonës, Leonardi i cili ka thënë se po të donin të bënin një gjë të tillë, do e kishin bërë kohë më parë.

“[Më babanë edhe vëllaun] E kemi përmend se kemi me folë që mos me na dalë ma përpara. Gjakova është e vogël dhe mundemi me u përpjekë në ta. Për këtë arsye kanë çu njerëz, që mos me u përpjekë në ta. Vetëm që ata mos me na dalë përpara. Nëse jemi gjaknxehtë, vjen edhe deri te më e keqja. Ne besojmë në drejtësi, s’kam çka them unë për Kanun. Sikur deri tash që ua kemi lanë autoriteteve, edhe tash atyre ua lajmë”, ka thënë Leonardi.

Ai thotë se fëmijët e Liridonës do t’i mbajnë pranë vetes kurdo t’i lejojnë autoritetet dhe Qendra Sociale.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu