Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan tha sot se ishte gati të “merrte masat e nevojshme” për të eleminuar kërcënimet kundër forcave turke pas sulmeve të fundit ndaj tyre në veri të Sirisë.
“Ne jemi të vendosur të eliminojmë vetë kërcënimet nga Siria,” paralajmëroi presidenti turk në fund të një takimi të kabinetit, duke thënë se durimi i tij po mbaron.
Të paktën gjashtë persona, përfshirë civilë, u vranë sot në një shpërthim të një makine bombë në një zonë të kontrolluar nga Turqia në veri të Sirisë, sipas Observatorit Sirian për të Drejtat e Njeriut.
Shpërthimi ndodhi në qytetin Afrin, i vendosur në provincën veriore të Alepos, në veriperëndim të Sirisë.