Vrasje për një foto me kalin, 42-vjeçari nga Tirana u qëllua para fëmijëve e familjes në kalanë e Beratit

0

BERAT, 28 tetor 2025 – Një ngjarje makabre ka tronditur kalanë e Beratit këtë të martë, ku një 42-vjeçar nga Tirana, Keli Hoxha, u vra me thikë në zemër nga 63-vjeçari Kristo Mema, pas një debati banal për një foto me një kalë turistik.

Sipas dëshmitarëve, Hoxha kishte shkuar në Berat për vizitë me familjen – bashkëshorten, nënën dhe dy fëmijët e vegjël. Teksa ndodheshin në sheshin e lagjes “Kala”, ai i bëri një foto vajzës së tij të vogël pranë një kali të lidhur në një shtyllë. Pronari i kalit, Kristo Mema, i kërkoi para për foton dhe situata degjeneroi shpejt në konflikt verbal e fizik. Në kulmin e debatit, 63-vjeçari nxori thikën dhe e goditi disa herë 42-vjeçarin, duke i shkaktuar plagë të rënda që i morën jetën pak minuta më vonë në spital.

Ngjarja ndodhi në sy të familjarëve dhe kalimtarëve, të cilët, megjithë përpjekjet, nuk mundën ta ndalonin autorin. Mema u largua menjëherë pas krimit dhe aktualisht ndodhet në arrati. Policia e Beratit ka ngritur postblloqe në hyrje e dalje të zonës dhe po kontrollon çdo pjesë të kalasë për kapjen e tij.

Sipas burimeve, Kristo Mema është person me precedentë penalë, i dënuar më parë në Greqi me 25 vite burg për vrasje me thikë. Prej vitesh ai jetonte në kalanë e Beratit, ku ofronte xhiro me kalë për turistët dhe ishte i njohur si person konfliktual, për shkak të sherreve të shpeshta me banorët e zonës.