Vrau punonjësen e s*ksit në Itali, arrestohet shqiptari në Greqi! Emri

0

Shqiptari, Ylli Vangjelaj ka rënë në prangat e policisë greke, pasi ishte shpallur në kërkim nga autoritetet italiane nën akuzën për vrasje të një punonjëse seksi në dhjetor të vitit 1999.

48 vjeçari me origjinë nga Vlora është arrestuar mbrëmjen e djeshme në Janinë, në kuadër të kërkesës së departamentit “SIRENE” në Itali të lëshuar në 21 korrik të vitit 2021 për veprën penale “vrasje-plagosje e rëndë”.

Gjykata e Apelit në Bolonja e kishte dënuar Vangjelaj me 22 vjet e 8 muaj burg në qershor të 2011, dënim i cili është pasuar me vendim të formës së prerë në tetor të 2012.

Ylli Vangjelaj u shpall si i kërkuar nga autoritetet italiane pasi akuzohet se në bashkëpunim me dy shqiptarë të tjerë Robert Ziu dhe Erjon Sejdiraj rrëmbyen dhe vranë në brigjet e Po në Mortizza prostitutën me origjinë nga Ekuadori Betty Ramirez 20 vjeç, me datë 9 dhjetor të vitit 1999.

Në korrik të vitit 2018, Vangjelaj u arrestua në Shqipëri në zbatim të kërkesës së policisë italiane.

Duke u nisur nga raportimi i mediave në atë kohë, vendimi italian për dënimin e tij me burg u njoh nga Gjykata e Vlorës, e cila fillimisht e dënoi me 23 vite burg, dhe më pas zbuti masën duke e dënuar me vetëm 12 vite.

Megjithatë, nuk dihet se si Vangjelaj përfundoi sërish i lirë, pasi autoritetet italianë lëshuan një tjetër urdhër arresti në vitin 2021.

Gjatë arrestimit në Shqipëri u tha se ai mbante dy identitete, Ylli dhe Fatmir Vangjelaj, ndërsa policia greke deklaroi se e ka arrestuar atë nën identitetin Ylli Vangjelaj dhe se ishte mbajtës i një pashaporte shqiptare me këtë emër të lëshuar në 19.10.2023.

Ylli alias Fatmir Vangjelaj pas vrasjes u arratis menjëherë në Shqipëri ku kishte ndërruar identitet. Kishte marrë emrin e pagëzimit të vëllait më të madh dhe ditëlindjen e motrës së vogël.

Duke u bërë një person tjetër ai u rikthye në Itali ku qëndroi në Chieti ku u martua dhe u bë me një vajzë, por asaj nuk i dha asnjëherë mbiemrin e tij. Hetimet e autoriteteve italiane nuk u ndalën as pas gati 20 vitesh duke këmbëngulur pranë homologëve shqiptarë për të gjetur identitetin e vërtetë të vrasësit të prostitutës.

Autori tjetër, Robert Ziu u arrestua në SHBA në vitin 2006 edhe ky i dënuar me 23 vite burg dhe Erjon Sejdiraj, që ishte kapoja i vërtetë i bandës, u arrestua në Belgjikë, shtet ku akuzohej për mashtrim dhe falsifikim dokumentash, si i dënuar në mungesë me burgim të përjetshëm për vrasjen në Itali.

Krimi, i ndodhur në kuadër të prostitucionit, synonte të ishte një provë e forcës së tre shqiptarëve në dëm të bandës që dominonte në atë kohë në Piacenza.

Duke rrëmbyer Betty Ramirez dhe duke kërkuar një shpërblim nga pronarët e vajzës së re, ata mund të provonin vlerën e tyre.

Vrasja brutale shqetësoi shumë opinionin publik për shkak të pamëshirshmërisë së vrasësve dhe mbi të gjitha për shkak të thellësisë kriminale dhe kontekstit të luftës për epërsi mes bandave të shfrytëzuesve të prostitucionit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu