Vriten dy ushtarë me origjinë shqiptare në Ukrainë (FOTO)

0

Lufta në Ukrainë i ka marrë jetën dy djemve nga diaspora shqiptare. Lajmi i hidhur është bërë i ditur nga Pandeli Majko në një postim në “FB” ku shkruan se është njoftuar nga Konsulli i Shqipërisë në Ukrainë për vdekjen e dy djemve me origjinë shqiptare.

Dermentli Anatoly, nga fshati shqiptar i Karakurtit (në rajonin e Odesës), humbi jetën në një mision luftimi më 15 tetor. Ndërsa Haydarzhy Danylo dha jetën në zonën e luftimeve në fshatin Liman, pranë qytetit Kupiansk, në rajonin e Kharkivit.

Ditën e djeshme janë zhvilluar në qytetin e Zaporozhias ceremonitë funerale të dy djemve me origjinë shqiptarë.

Në ceremoninë e varrimit pranë flamurit të Ukrainës është vendosur edhe flamuri kombëtar shqiptar.

Reagimi

Në postim në rrjetin social, Majko bëri me dije se “lajmin e hidhur” e ka marrë nga konsulli i Shqipërisë në Ukrainë Omarov Shakhin.

“Ukraina, nga sot, ka edhe dy djem, nga rradhët e diasporës shqiptare të cilët kanë rënë në luftë. Ata ishin ushtarë në ushtrinë e Ukrainës, të cilët luftuan dhe dhanë jetën në krye të detyrës si heronj. Ata ishin: Dermentli Anatoly ishte nga fshati shqiptar i Karakurtit (në rajonin e Odesës). Ai kishte lindur më 3 shtator 1980. U mobilizua në Brigadën e mekanizuar Nr.118 në rajonin e Zaporozhias. Në 15 tetor, humbi jetën, në një mision luftimi. Haydarzhy Danylo u lind në një familje shqiptare në 26 janar 2002 në fshatin Georgivka (rajoni i Zaporozhias). Ai ishte fëmija i dytë në familjen e tij, cila aktualisht, jeton ende në zonën e okupuar nga trupat ruse. Kur filloi lufta ai ishte në Poloni.

Në verën e 2022, ai shkoi vullnetarisht për tu mobilizuar, por u refuzua (për shkak të moshës). Në vitin 2023 pas ditëlindjes së 21-të ai aplikoi sërish dhe shërbeu vullnetarisht në Forcat e Armatosura të Ukrainës. Ai shërbeu në njësinë ushtarake A290 dhe dha jetën në zonën e luftimeve në fshatin Liman, pranë qytetit Kupiansk, në rajonin e Kharkivit. Dje janë zhvilluar në qytetin e Zaporozhias ceremonitë funerale të dy djemve shqiptarë me gjak, të cilët edhe nga fotot personale duket që nuk kanë harruar origjinën e tyre. Në ceremoninë e varrimit pranë flamurit të Ukrainës është vendosur edhe flamuri kombëtar shqiptar. I përjetshëm, qoftë kujtimi i tyre”, shkruan deputeti.

Më 24 shkurt 2022, Rusia filloi një pushtim në shkallë të gjerë të Ukrainës, fqinjit të saj në jugperëndim, duke shënuar një përshkallëzim të madh të luftës ruso-ukrainase në vazhdim që filloi në vitin 2014. Deri më tani janë shënuar qindra viktima dhe mijëra të plagosur.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu