Vuçiç i gatshëm për kompromis, por ka një kusht për Kurtin

0

Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç u shpreh i gatshëm për kompromis, edhe pse insistoi se situata në veri të Kosovës mbetet shqetësuese.

Kreu i shtetit serb pohoi për televizionin vendas “Happy” se nevojitet një zgjidhje e menjëhershme për banorët e këtyre zonave. Por kompromisin e kushtëzoi me dorëheqjen e 4 kryetarëve të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit, të cilat i konsideron të paligjshme.

“Thjesht po kërkoj largimin e kryetarëve të rremë, le të japin dorëheqje. Jemi të gatshëm për lëshime, por duhet të fillojë formimi i Asociacionit. Dialogu është zgjidhja e vetme”, tha Vuçiç.

Vuçiç shtoi më tej se takimet e tij të fundit me përfaqësuesin e lartë të BE, Miroslav Lajçak dhe atë të SHBA, Gabriel Escobar nuk kishin qenë dhe aq të lehta.

“Situata po komplikohet dhe më shqetëson shumë. Nuk mendoj se duhet të them se cilat shtete janë. Kam respekt të madh për kancelarin Scholz, jam politikisht i afërt me presidentin Macron. Ishte një bisedë shumë e vështirë. Duhet t’i kuptojmë, ata nuk duan luftë, nuk konflikt. As për ata nuk është e lehtë. Neve na takon të ruajmë paqen, interesat e popullit tonë, që kombi ynë të mbijetojë. Prandaj nuk është e lehtë të flasësh as me serbët nga Kosova”, u shpreh Vuçiç.

Në Leposavic, Zveçan dhe Zubin Potok situata e sigurisë është përkeqësuar që më 26 maj, kur kryetarët shqiptarë të komunave kanë marrë zyrtarisht detyrën, pavarësisht rezistencës së banorëve lokalë. Nga ai moment, serbët atje kanë organizuar rregullisht protesta para ndërtesave komunale.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu