SERBI- Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçic ka folur në një konferencë për mediat për tensionet dhe ngjarjet e fundit në veri të Kosovës ku mbeti i vrarë një efektiv kosovar dhe një tjetër u plagos.
Vuçiç tha se Serbia nuk do ta njohë kurrë Kosovën e pavarur. Ai tha se do të ulet për të biseduar por njohja e Kosovës të harrohet.
“Nuk do ta njohim Kosovën e pavarur. Mund të na vrisni të gjithëve, të thoni çka të doni. Kurrë Serbia nuk do ta njohë Kosovën e pavarur. Një krijesë që e keni krijuar duke bombarduar Serbinë. E keni bombarduar me gënjeshtrat e shumëllojshme. Për të biseduar do të bisedojmë, por njohja e Kosovës të harrohet”. Ka qenë kjo deklarata e presidentit serb Vuçic në këto çaste, në daljen e tij publike pas ngjarjeve në veri të Kosovës.
Lidhur me tensionet e fundit në veri, Vuçiç ka akuzuar Kosovën për mashtrim si dhe ka mohuar që Serbia është përgjegjëse për vrasjen e efektivit të policisë së Kosovës, Afrim Bunjakut. Gjatë fjalës së tij, Vuçiç tha se fajtori i vetëm i gjithë situatës në veri të Kosovës, është Albin Kurti. Ai e cilësoi këtë ngjarje si një nga ditët më të vështira për Serbinë, ndërsa konfirmoi se tre shtetas serbë janë vrarë gjatë ndërhyrjes së policisë së Kosovës, dy prej të cilëve me snajper.