Zbardhen detaje nga zhdukja e 3- vjeçarit! Nusja konflikt me ish-vjehrrit pas vdekjes së bashkëshortit për përfitime ekonomike

0

Pavarësisht kërkimeve të policisë, policia nuk ka arritur të gjejë 3-vjeçarin e zhdukur para 4 ditësh në Durrës.

Ai u mor nga gjyshërit (prindërit e të atit) të cilët nuk ia kthyen më nënës së vet, Ile Gjuni.

Babai i fëmijës Avni Gjuni humbi jetën në shkurt të vitit 2023 në një aksident automobilistik që ndodhi te Kthesa e Kamzës. Automjeti ku ai ishte pasagjer doli nga rruga duke i shkaktuar vdekjen.

Të tronditur pas kësaj ngjarjeje dhe largimit të nuses me nipin te prindërit e saj, Rexhep dhe Berile Gjuni vendosën të largohen edhe nga shtëpia e tyre në zonën e ish-Kënetës për t’u zhvendosur në një banesë me qira në të njëjtën zonë.

Aktualisht, në të nuk ndodhet askush, ndërsa policia vijon kontrollet në bashkëpunim dhe me policinë e Kukësit dhe rrethet kufitare për të gjetur fëmijën dhe gjyshen, ndërsa 60-vjeçari Rexhep Gjuni është proceduar penalisht nga prokuroria për marrjen pa të drejtë të fëmijës.

Ai nuk ka bashkëpunuar me policinë duke qëndruar në pozitat e mohimit të dijenisë mbi vendndodhjen e nipit dhe gruas së tij. Fillimisht ka thënë se kanë shkuar në Kukës te familjarët e tyre, por atje nuk është gjetur.

Në bazë të legjislacionit tonë penal, “marrja pa të drejtë e fëmijës” është një kundërvajtje penale që dënohet me gjobë ose deri në 6 muaj burgim.

Përpos frikës se nusja mund të largohej jashtë vendit dhe të mos i lejonte të shihnin nipin, dyshohet se gjyshërit kanë pasur një konflikt me nusen edhe për përfitimet ekonomike pas vdekjes së djalit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu