Zbardhet një pjesë e dinamikës së ngjarjes së rëndë që tronditi Ulëzën, ku humbi jetën 23-vjeçari Renis Dobra. Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se i riu, i cili udhëtonte i vetëm me makinë, është ndjekur nga qyteti i Burrelit deri në fshatin Madhesh të Ulëzës nga një tjetër automjet.
Hetuesit kanë sekuestruar disa kamera sigurie brenda qytetit të Burrelit, por gjurmimi i autorëve është vështirësuar pasi në segmentin rrugor ku ka vijuar ndjekja mungojnë pamjet filmike.
Dyshohet se Renis Dobra është rrëmbyer, dhunuar dhe më pas është hedhur në një rrëpirë së bashku me makinën. Trupi i pajetë u gjet në një zonë me shkurre, rreth 10 metra larg bregut të liqenit, ndërsa automjeti i tij ndodhet ende nën ujë dhe po kërkohet nga policia.
23-vjeçari banonte në fshatin Zenisht të Burrelit dhe nuk rezulton të ketë pasur precedent penal. Familjarët, të pyetur nga policia, kanë deklaruar se nuk kishin dijeni për konflikte apo kërcënime të mundshme ndaj të riut. Hetimet vijojnë, ndërsa motivet dhe dinamika e plotë e ngjarjes mbeten ende mister.