Gjykata e Vigos ka refuzuar kërkesat për lirimin e tre shqiptarëve të arrestuar gjatë një operacioni anti-drogë në janar të këtij viti, ku u kapën 1250 kilogramë kokainë e trafikuar nga Amerika e Jugut.
Në qeli mbeten Arsild B., i njohur si “noteri” i mafias shqiptare që kontrollon tregun e drogës në brigjet spanjolle të Vigos, Alfred N., dhe Romario C., të cilët kishin rolin e transportuesve të drogës me furgon dhe autobus. Gjykata vendosi të ratifikojë masën e paraburgimit për ta, duke rrëzuar ankesat e tyre.
Ndërkohë, një tjetër i arrestuar, V.N., ka fituar të drejtën për lirim të përkohshëm, me kushtin e paraqitjes javore në gjykatë, ndalimit të daljes nga territori spanjoll dhe heqjes së pasaportës. Gjykata pranoi pretendimet e avokatit të tij, duke i vendosur kufizime gjatë periudhës së hetimit.
Operacioni anti-drogë, i zhvilluar në rajonin e Galicisë në fillim të janarit, çoi në arrestimin e 9 personave, mes tyre 4 shqiptarë. Grupi kriminal kishte arritur të eliminojë konkurrencën e një organizate vendase për të marrë nën kontroll tregun e kokainës, me vlera që arrinin miliona euro.
Hetimet zbuluan se strategjia e grupit ishte të qëndronte në det të hapur gjatë motit të keq, duke shmangur autoritetet deri në momentin e duhur për të transportuar drogën në tokë. Pavarësisht masave të tyre, policia spanjolle arriti të zbulojë dhe neutralizojë rrjetin, duke sekuestruar drogën dhe duke vënë në pranga anëtarët e grupit.