Zbulohet kokainë e lëngshme brenda mijëra arrave të kokosit, kishin destinacion Italinë

0

Policia kolumbiane kundër drogës ka sekuestruar një ngarkesë të madhe prej 20,000 arrash kokosi të mbushura me kokainë të lëngshme, pak çaste përpara se të dërgohej në Evropë.

Ajo u kap në qytetin port të Kartagjenës, në bregun e Karaibeve të Kolumbisë, ku arrat e kokosit po përgatiteshin për t’u nisur drejt Genovas në Itali.

Një njësi antidrogë brenda zyrës së prokurorit kombëtar të Kolumbisë, duke punuar me një ekip të posaçëm policie, inspektoi arrat e kokosit, të cilat po transportoheshin në 504 thasë dhe zbuluan se qumështi natyral ishte zbrazur dhe një lëng tjetër ishte injektuar brenda.

Frutat janë dërguar në një laborator për inspektim të mëtejshëm për të përcaktuar sasinë e saktë të kokainës që përmban çdo kokos.

Asnjë arrestim nuk është bërë deri më tani në lidhje me zbulimin, por zyra e prokurorit kombëtar ka thënë se po heton për të përcaktuar origjinën e dërgesës së arrës së kokosit dhe për të identifikuar se kush është përgjegjës.

Autoritetet kolumbiane po punojnë tashmë me autoritetet italiane në Xhenova për të identifikuar se kush qëndron pas rrjetit kriminal që kontrabandon drogën në Evropë.

Prodhimi i kokainës në Kolumbi është më i lartë se kurrë, duke arritur nivele rekord në një raport të vitit 2017 nga Zyra e OKB-së për Drogën dhe Krimin (UNODC), dhe kjo pavarësisht përfundimit të karteleve famëkeqe kolumbiane të drogës të viteve 1980 dhe 1990.

Pjesa më e madhe e kokainës që shkon në Evropë mendohet të hyjë përmes Spanjës dhe Italisë në jug dhe porteve të mëdha të Holandës dhe Belgjikës në veri, ndërsa një pjesë mendohet të hyjë përmes një devijimi përmes Afrikës perëndimore.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu