Mungesa e madhe e samitit BE-Ballkani Perëndimor që do të nisë më vonë gjatë ditës punimet në Tiranë, është padyshim Kosova.
Asnjëri prej liderëve shtetërore nuk do të jetë i pranishëm në kryeqytetin shqiptar, për të përfaqësuar Kosovën në Samitin ku në fokus do të jetë paketa 6 miliardë euro e fondeve që BE do të shpërndajë në formën e ndihmave, kredive dhe granteve për projekte të caktuara, për 6 vendet e rajonit.
Ndryshe nga Samiti për Ukrainën ku Prishtina zyrtare u përfaqësua me Presidenten Vjosa Osmani, ditën e sotme Albin Kurti nuk ka udhëtuar drejt Tiranës, edhe pse ishte përfolur pjesëmarrja e tij në samit dhe një takim i mundshëm me Presidentin serb Aleksandër Vuçiç nën ndërmjetësimin e kryeministrit Edi Rama.
Emri i shefit të qeverisë kosovare mungon në listën e pjesëmarrësve që ka publikuar Kryeministria dhe për këtë duket se ka një shpjegim shterues nga ekzekutivi në Prishtinë.
Kurti do të jetë pjesë e Samitit virtualisht përmes një video-adresimi, konfirmoi për KosovaPress zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu.
Ai ka treguar arsyet përse Kurti nuk do të jetë pjesë e këtij samiti fizikisht.
“Për shkak të angazhimeve të mëparshme, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk do të jetë i pranishëm fizikisht në Samitin e sotëm në Tiranë. Megjithatë kryeministri Kurti do të jetë pjesë e Samitit virtualisht përmes përmes një video-adresimi”, thuhet në përgjigjen me shkrim për KosovaPress të zëdhënësit të Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu.