Zgjedh Shqipërinë para Suedisë, rrëfehet Flamur Tahiri: Ëndërr të përfaqësoj atdheun!

0

Quhet Flamur dhe emri ia detyron edhe zgjedhjen. I lindur në Suedi, nga dy prindër me origjinë nga Drenica e njohur në Kosovë për atdhedashurinë, 22-vjeçari Flamur Tahiri ka zgjedhur të luajë për kombëtaren e Shqipërisë në Futsallë.

I riu luan si sulmues dhe është nga më të spikaturit e IFK Goteborg Futsal. Në dy vitet e fundit ka luajtur për kombëtaren e Suedisë, por fatmirësisht për Shqipërinë kanë qenë vetëm ndeshje miqësore.

Tani ai do të veshë fanellën kuqezi dhe për “Fshf.org” nuk flet vetëm për zgjedhjen e bërë, por edhe për ecurinë e karrierës së tij, ëndrrat që ka, objektivat dhe dëshirën e madhe me të cilën e pret debutimin me fanellën e Shqipërisë.

– Flamur, sa e lehtë ishte për ju të zgjidhnit Shqipërinë, kur mund të kishit veshur edhe fanellën e Suedisë?

– Si fëmijë synimi dhe ëndrra ime ishte të përfaqësoja vendin tim dhe vendin nga i kam rrënjët. Kur vëllai im i madh Behari ra në kontakt me Shqipërinë, më pyeti nëse do të doja të përfaqësoja ngjyrat kuqezi. Ishte një çështje krejt e qartë, që doja të përfaqësoja Shqipërinë. Jam i shumë i lumtur ta përfaqësoj vendin tim.

– Sa ka ndikuar familja juaj për zgjedhjen e bërë?

– Familja ka dashur gjithmonë të më shohë me fanellën kuqezi. Më kanë mbështetur për këtë vendim dhe janë shumë të lumtur për mua. Ishte çështje e qartë, edhe për ta e zgjodha Shqipërinë.

– Çfarë do të thotë për ju të vishni fanellën e Shqipërisë?

– Siç e thashë edhe më parë, ka qenë gjithmonë një nga ëndrrat e mia më të mëdha të vesh fanellën kuqezi. Jam shumë i sigurt që është ëndrra e shumë shqiptarëve dhe jam me fat që më erdhi ky shans.

– Me IFK Goteborg po shkëlqeni, me 21 gola këtë sezon në kampionat, por gjërat nuk është se kanë qenë të lehta për ju. Pse kaluat nga futbolli i madh te ai i futsallës?

– Unë dhe ekipi im i klubit nuk kemi pasur direkt sezonin më të mirë si më parë, por tani jemi në play-off (gjysmëfinale) dhe shpresojmë të dalim kampionë në Suedi, edhe 3 javë. Nga ana ime ka pasur edhe herë të tjera që kam shënua shumë gola.

Jam i lumtur të ndihmoj ekipin, duke shënuar gola. Kam filluar të luaj futboll që fëmijë dhe e kam bërë gjithmonë këtë. Më pas më lindi interesi për futsallin. Më pëlqen ritmi, më pëlqen që ecën shpejt dhe që në futsall të gjitha skuadrat mund të mundin çdo skuadër.

– Patët vështirësi të përshtateshit?

– Në fillim ka qenë e vështirë, është krejt ndryshe nga futbolli përsa i përket taktikave, lëvizjeve e elementëve të tjerë. Gjithsesi tani jam i stërvitur mirë, jam përgatitur mirë dhe di shumë gjëra në futsal. Shpresoj të mësoj edhe më shumë dhe të zhvillohem.

– Si kanë qenë hapat e para në karrierë? Fillimisht nuk është se keni pasur shumë hapësira, por tani po shkëlqeni.

– Gjithçka filloi 3 vite më parë, në ekipin e klubit IFK Goteborg Futsal. Do të mësoja taktikat, lëvizjet dhe se si funksionon gjithçka. Në fillim nuk kisha shumë minuta lojë.

Më erdhi mundësia te tregoja veten dhe të bëja debutimin tim në ligën më të lartë të Suedisë në futsal dhe e shfrytëzova atë shans. Shënova 2 gola që sollën një fitore për ekipin tim. Nga atëherë mund të kem qenë një nga lojtarët kryesorë të klubit.

– A ju shikojnë me sy tjetër tani që keni arritur një nivel të lartë?

– Liga e futsalit në Suedi nuk është aq popullore sa futbolli, por ka shumë që e ndjekin ligën. Tani që gjërat po shkojnë mirë për mua, ndoshta ka shumë që më njohin dhe më shikojnë. Shpresoj të tregoj më shumë nga unë dhe të vazhdoj të bëj punën që kam bërë deri tani.

– Çfarë synoni të arrini në nivel klubesh. Po me Shqipërinë çfarë ëndërroni të arrini?

– Në ekipin e klubit synimi im është të bëhem kampion në Suedi dhe të luaj në Ligën e Kampionëve në Futsal. Ne gjithmonë duam të zhvillohemi dhe të arrijmë sa më shumë qëllime.

Me Shqipërinë, ëndrra ime e parë është të bëj debutimin tim, të vesh fanellën kuqezi, të këndoj himnin kombëtar dhe sigurisht të luftoj për vendin dhe flamurin tonë.

Më vonë gjatë lojës shpresoj të jem në gjendje të ndihmoj kombëtaren të arrijë në grupet e Kupës së Botës dhe në grupe të Kampionatit Evropian, për t’u krahasuar me ekipet kombëtare më të mira.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu