Zgjedhjet parlamentare në Kosovë, ish-krerët e UÇK-së ushtrojnë të drejtën e votës nga paraburgimi i Hagës

0

HAGË- Ish-Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputeti Rexhep Selimi, kanë ushtruar të drejtën e votës për zgjedhjet parlamentarë të Kosovës.

Ata kanë dhënë votën e tyre pavarësisht se ndodhen në paraburgimin e Hagës, ku po gjykohen nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Lajmin se ata kanë ushtruar të drejtën e votës e ka konfirmuar zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

“Mund t’iu konfirmoj se shtetasit e Kosovës që ndodhen në Dhomat e Specializuara, në Hagë, kanë realizuar të drejtën kushtetuese dhe kanë votuar në Zgjedhjet për Kuvendin e Republikës së Kosovës, sipas procedurave dhe akteve nënligjore të KQZ-së”, tha Elezi.

Për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, të drejtë vote brenda dhe jashtë Kosovës kanë mbi 2 milionë votues. Në garën për përbërjen e re parlamentare janë 28 subjekte politike dhe një kandidat i pavarur. Qytetarët mund të zgjedhin një parti dhe deri në dhjetë kandidatë për deputetë. Nga këto votime do të zgjidhet përbërja e re e Kuvendit me 120 ulëse dhe deputetët më pas zgjedhin Qeverinë e re. Qeveria aktuale në Kosovë udhëhiqet nga Albin Kurti, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje. Këto janë zgjedhjet e para të rregullta që Kosova mban që nga shpallja e pavarësisë më 2008. Deri më tani, në vend janë mbajtur një sërë zgjedhjesh të parakohshme.