Zhdukën 100 pasaporta shqiptare, shkarkohet ambasadorja shqiptare në Athinë bashkë me stafin. Ja propozimi i ri i Cakajt

0

Lëvizja sipas burimeve është bazuar te performanca jo në nivelin e duhur nga Hobdari.
Ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme Gent Cakaj ka shkarkuar nga detyra stafin me në krye ambasadoren shqiptare në Athinë, Ardiana Hobdari.

Lëvizja sipas burimeve është bazuar te performanca jo në nivelin e duhur nga Hobdari. Kujtojmë që vitin e kaluar Hobdari mori masë disiplinore për skandalin e zhdukjes së 100 pasaportave, teksa konsulli në Janinë Pervin Gjikuria u shkarkua.

Cakaj i ka propozuar kreut të shtetit, Ilir Meta, emrin e Luela Hajdaragës si ambasadore në Athinë në vendin e Hobdarit.

Historia e zhdukjes së pasaportave
Në fillim të muajit shkurt të vitit të kaluar u zhdukën 100 pasaporta shqiptare. Ministria e Jashtme sqaroi në datë 22 shkurt se ambasada jonë në Athinë kishte autorizuar një punonjëse të kompanisë së autobusëve “Top Lines” të aplikonte për 100 pasaportat te kompania ALEAT në Tiranë dhe më pas ti tërhiqte për ti dërguar në Greqi.

Pas tërheqjes, pasaportat u nisën drejt vendit fqinj me autobus (jo në përputhje me praktikat e rregullta të transportimit të pakove diplomatike). Në Kakavijë gjatë kontrollit autoritetet greke zbuluan pasaportat duke i bllokuar, ndërsa ndërhyri konsullata shqiptare në Janinë duke bërë të mundur zhbllokimin.

Më pas, sipas ministrisë dërgesa i është dorëzuar përfaqësuesve diplomatikë të Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Shqipërisë në Janinë, të cilët proceduan me shoqërimin dhe transportin e tyre drejt Ambasadës së Republikës së Shqipërisë​ në Athinë.

Por, gjatë transportimit të tyre nga Konsulli i Përgjithshëm i Republikës së Shqipërisë në Janinë, në një nga ndalesat e bëra për në ambasadën tonë, pikërisht në rrugën Agion Asomaton të lagjes Thisio, Athinë, pranë ambasadës makina u sulmua, prej orës 22.50 deri në orën 00.10, ndërsa iu morën pasaportat.

Ministria e Jashtme theksoi se pasaportat u nxorën nga përdorimi duke u shpallur të pavlefshme. Por pikëpyetjet që lindën ishin të shumta, duke nisur nga fakti se përse u ndoq kjo rrugë për aplikimet dhe tërheqjen e pasaportave përmes një punonjës së një kompanie autobusësh? Ndalesa e makinës në këtë lagje të kryeqytetit grek në mesnatë dhe itinerari, ngritën pikëpyetjet se ku kishte qenë konsulli, ndërkohë që në makinë kishte pasaportat?

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu