Zhvillimet e 14 Majit, atentate, aksidente fatale dhe një kryeministër që kërcen tallava/ Çfarë ndodhi këtë javë në Shqipëri?

0

Ndonëse një vend i vogël, në Shqipëri ka zhvillime të përditshme. Pjesa kryesore e mbuluar nga politika dhe kronika e zezë. Krimi i organizuar është një nga faktorët më mbizotërues në zhvillimet e përgjithshme që ndodhin në Shqipëri, duke qenë se fijet që ky krim ka shtrirë në vendin tonë, është i gjithanshëm dhe i kudondodhur.

Në javën e fundit, kanë qenë të paktën gjashtë ngjarje, që e kanë bazën e tyre në krimin e organizuar. Të shumtë janë dhe ekspertë të kriminalistikës, por edhe gazetarë të kronikës, të cilët, i lidhin këto atentate dhe me sferat politike. Disa herë të përfshirë drejtëpërdrejtë dhe herë të tjera, thuhet emri i tyre tërhorazi, politikanët dhe krimi organizuar duket sikur i zhvillojnë ngjarjet e tyre në mënyrë paralele.

Një burim ngjarjesh janë bërë dhe zgjedhjet e 14 Majit, me vendimmarrjet në KQZ, KAS dhe Kolegjin Zgjedhor, me nisjen e fushatës dhe garës së kandidatëve.

Shqipëri: Kryeministri Edi Rama, kryen ndërhyrje për të hequr apendicitin. Java ka nisur me një njoftim, se kryeministri Rama kreu një operacion në QSUT, ku hoqi apendicitin. Ditën e nesërme, ai doli prej spitalit, për të vazhduar aktivitetet e tij. Heqja e apendicitit, u bë për të dhe pjesë e retorikës gjatë prezantimeve të mëpasshme, në Kamzë dhe dhe në Elbasan, ku metafora e gjetur prej tij, lidhet me konsiderimin si një “apendicit” i kundërshtarëve të tij, për të cilët thotë se duhet të hiqen njëjtë si ndërhyrja e tij, ditën e hënë. Po nga Kamza, i “acaruar” me mospëlqimin nga masa për tallavanë e zgjedhur prej tyre në fushatë, Rama ka kërkuar ta mposhtë këtë “mllef” duke kërkuar vendosjen e këngës dhe më pas kërcen me një banore, duke ndezur kështu menjëherë atmosferën e takimit.

Gjatë të mërkurës, Ministri i Brendshëm Bledi Cuçi, në një takim me drejtorët e policisë të kryeqyteteve evropiane, ka bërë një deklaratë, në lidhje me diellin në Tiranë.

Në mbyllje të takimit, Çuçi u premtoi të pranishmëve që gjatë ditës së nesërmes do të kujdesej personalisht që të shijonin diellin mesdhetar të Tiranës, njësoj sikur të kishte aftësi për të caktuar kushtet e motit në ditët në vijim.

Ditën e mërkurë morën fund dhe protestat e banorëve të Bërxullës. Banorët e Bërxullës duket se kanë arritur një marrëveshje me Kadastrën, sa i takon pronave të tyre që pritet të shemben pas projektit Thumanë-Kashar. Kryeplaku i fshatit Muharrem Koni, tha pas takimit me drejtorin e zyrës rajonale të Kadastrës në Vorë se mori garancinë, se ata banorë që kanë bërë aplikimet do të marrin certifikimin e pronës se tyre. Ndërkohë për të tjetër janë ende në kohë që të bëjnë aplikimet.

Ndërkaq, dy aksidente me pasoja fatale kanë ndodhur gjatë kësaj jave në vendin tonë, ku kanë humbur jetën dy 15-vjeçarë.

19 prill në Poliçan, ku humbi jetën tragjikisht 15-vjeçari Afisaldo Zylyftari dhe u plagos vëllai i tij F.Zylyftari 17-vjeç, gjithashtu u plagos rëndë K.Bregasi e cila bëri një ndërhyrje në spitalin e Traumës dhe shoqja e saj e njohur si Amelia.

Pa kaluar 48 orë, në 21 prill, një tjetër aksident me pasoja fatale ndodhi në Korçë, ku 21-vjeçari Kevi Sherifi humbet kontrollin e mjetit dhe përplaset me barrierën mbrojtëse të rrugës. Vëllai i tij, 15-vjeçari R.Sherifi, i cili ndodhej në sediljen e pasagjerit, ka humbur jetën në reanimacion.

Zhvillimet e 14 Majit: Zgjedhjet e 14 Majit, i kanë ndezur të gjithë motorët e politikës në Shqipëri, madje dhe interesin e ndërkombëtarëve. Të interesuar që të ketë një mbarëvajtje të garës për lokalet, në kuadër të kësaj, Audreu Glover ka takuar përfaqësues të opozitës gjatë kësaj jave. Një nga takimet që bëri më tepër jehonë, është ai me ish-kryeministrin Berisha, i cili u shoqërua me një takim të Gloverit me Ilir Metën dhe më pas me Enkelejd Alibeajn. Takimet, kanë patur gjithnjë objekt diksutimi zgjedhjet e 14 Majit dhe ecurinë e tyre.

Të hënën në mbrëmje, një rast i paprecedent ndodhi në Has, në lidhje me zgjedhjet e 14 Majit. Miftar Dauti kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, ka ndaluar furgonin e djalit të kandidatit të PS Halit Muja. Dauti u shpreh se djali i Mujës e kishte mbushur furgonin me ndihma që do t’ua shpërndante familjeve në këmbim të votave. Në furgonin e këtij të fundit gjendeshin pako me ushqime që do t’iu shpërndaheshin qytetarëve, ndërkohë që situata bëhet edhe më skandaloze, për shkak se pakot ishin marrë nga rezervat e shtetit, që përdoren në raste të fatkeqësive natyrore apo emergjencave. Ngjarja u shoqërua me denoncime ndaj Dautit,po ende asnjë konstatim përfundimtar të situatës.

Sali Berisha ndërkohë, ka bërë prezantime në qytete të ndryshme. Në fjalët e tij më të zakonshme janë vlerat e këtyre kandidatëve që garojnë nga koalicioni në këto zgjedhje, ku sipas ish-kryeministrit janë të zgjedhur nga vetë demokratët. Në anën tjetër, janë dhe denoncimet e vazhdueshme të tij, ndaj qeverisë Rama dhe aktivitetet e gjithë zyrtarëve të lartë, për të cilët Berisha ngre akuza për korrupsion.

Sakaq, jo çdo punë ka shkuar mirë për Berishën. Kolegji Zgjedhor ka rrëzuar kërkesën e ‘Bashkë Fitojmë’, ku ka vendosur se  Berisha nuk do të jetë kryesues në fletët e votimit për zgjedhjet e 14 majit, por do të jetë kreu i PL-së, Ilir Meta.

Ditën e premte, Kolegji ka rrëzuar gjithashtu edhe kërkesën e Sali Berishës për vedosjen e logos së partive në fletët e votimit.

Kolegji ka vendosur që logot e Partive ose të Koalicioneve do të qëndrojnë në fletën e votimit, si dhe kërkoi që në fletën e votimit të jenë vetëm emrat e kandidatëve dhe emrat e partive apo koalicioneve.

Ditën e martë ka qenë dhe çelja e fushatës nga kandidati i PD-së për Tiranën, Roland Bejko. Bejko gjatë çeljes së fushatës në Tiranë, i dërgoi dhe një mesazh Sali Berishës.

Një mesazh ku kërkohet, dorëheqja e tij nga jeta politike. Gjithashtu, kandidati për kryetar bashkie i kërkon të heqë dorë nga pengimi i PD-së në misionin e saj në rrugën e demokratizimit të Shqipërisë. Sakaq, thotë që demokratët nuk dua të shkojnë te Partia e Lirisë së Metës, duke qenë se kandidatët e krahut të Berishës, janë regjistruar nën emrin e koalicionit, i cili drejtohet nga PL-ja.

Krimi i organizuar: Të martën në Fresk, një sasi tritoli shpërtheu në derën e banesës së një 65-vjeçari. Ky i fundit është babai i Leonard dhe Erlis Dukës.

Muharrem Dukës i është vënë lënda plasëse teksa për pasojë ka pasur vetëm dëme materiale.

Leonard dhe Erlis Duka janë emra të njohur për drejtësinë shqiptare.

Leonard Duka u arrestua në shkurt në Belgjikë ndërsa vëllai i tij Erlis vijon të jetë në kërkim. Të dy janë të akuzuar për vrasjen e ish policit Santiago Malko.

Leonard Duka ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga ZQK Interpol Tirana, pasi Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit te Organizuar i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për kryerjen e veprave penale “Vrasja me paramendim” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit luftarak”, të kryera në formën e grupit të strukturuar kriminal.

Ai gjithashtu dyshohet se është një nga autorët e vrasjes së ish efektivit Santiago Malko, ngjarje kjo e ndodhur në gusht të viti 2019, në rrugën “Xhanfize Keko”, Tiranë.

Një ngjarje që tronditi Shqipërinë, ishte ajo e ditës së mërkurë, ku në lokalin e tij, në mes të ditës në Shëngjin vritet biznesmeni 50-vjeçar Ardian Nikulaj. Biznesmeni dhe njëkohësisht politikan, u qëllua me 7 plumba, nga një autor ende i paidentifikuar. Pasi kreu ekzekutimin, autori i vetëm, rezulton të jetë larguar me motorin e tij në drejtim të Shkodrës.

Në mbrëmjen e ditës së mërkurë, është vënë në pranga Ramazan Rraja, një person i njohur në botën e krimit dhe nip i deputetit të PS-së, Rrahman Rrajës. Rraja i cili ishte shpallur në kërkim për atentatin ndaj ish prokurorit Arjan Ndoji u ofroi policëve 1 milion euro që të mos arrestohej së bashku me mikun e tij Luis Konomi.

Të enjten, ka qenë qyteti i Laçit i cili nuk i ka shpëtuar plumbave të krimit të organizuar. Një biznes u qëllua disa herë me armë zjarri, konkretisht me rreth 30 plumba.

Gjatë javës, kërkimet për dy të zhdukurit në Sarandë, kanë qenë të vazhdueshme. 46 vjecarët Leonard Thodhori i njohur si “Koçole” dhe Fatmir Sulovari alias Fatmir Krasniqi, kanë mbi 15 ditë pa asnjë gjurmë. Detaje të shumta janë zbuluar gjatë këtyre ditëve, ku të dielën e sotme janë ngritur dyshime për ekzekutimin e tyre dhe varrosjen në fshatin Vrinë të Bashkisë Konispol. Prej orëve të mëngjesit, rreth 50 familjarë te Fatmir Sulovarit janë nisur drejt kësaj zone për ta krehur fizikisht dhe me mjete logjistike me qëllim gjetjen e trupave.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu