Detaje të reja kanë dalë lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur në komisariatin numër 5 në Kamëz.
Kujtojmë se pas zjarrit të rënë brenda komisariatit humbi jetën 26-vjeçari Arben Mici dhe u plagosën i pandehuri Dilaver Idrizi dhe efektivi i policisë Hajredin Boja.
Raportohet se punonjësi i policisë, Hajredin Boja ende nuk ka dhënë deklarime për shkak të gjendjes shëndetësore në të cilën ndodhet. Nga ana tjetër i plagosuri tjetër, Dilaver Idrizi është shprehur se është nxjerrë nga dhomat e izolimit nga punonjësi i policisë, Boja i cili mbante detyrën e përgjegjësit të dhomave të izolimit.
Ndërkohë që nga ana tjetër autoritetet po vijojnë hetimet, dhe burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se zjarri ka rënë në orën 20:53 dhe rreth 30 minuta më pas kanë mbërritur forcat zjarrfikëse.
Fillimisht, dy efektivët kanë tentuar të shuajnë zjarrin vetë dhe kur flakët janë përhapur, janë telefonuar forcat zjarrfikëse.