Një aksident i rëndë rrugor ka tronditur qytetin e Pejës pasditen e sotme, ku fatkeqësisht ka humbur jetën Eldion Kelmendi, vëllai i reperit të njohur dhe fituesit të “Big Brother VIP 4”, Gjesti.
Menjëher pas shpërndarjes së lajmit, ish-partnerja e Gjestit Xheneta Fetahu ka ndarë një postim në Instastory ku shpreh ngushëllimet Gjestit dhe familjes së tij.
“Ngushëllime të sinqerta për Gjestin dhe familjen e tij. Zoti ju dhëntë forcë e durim në këtë kohë të rëndë, ndërsa shpirti i tij u pushoftë në paqe e dritë të perjetshme. Kujtimi i tiji mirë do te mbetet përgjithmonë nẽ zemrat tuaja.”, shkruan Xheneta në postimin e saj.
Sipas informacioneve paraprake, ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:00, kur një automjet është përplasur me një motor katër-rrotësh. Si pasojë e përplasjes së fortë, Eldion Kelmendi ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes.
Një tjetër person, me inicialet K.B., që ndodhej në mjetin me katër rrota, është plagosur rëndë dhe është transportuar me urgjencë në spitalin e Pejës, ku i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale. Mjekët po bëjnë përpjekje për ta mbajtur në jetë.
Lajmi ka shkaktuar një reagim të madh në publik, veçanërisht mes ndjekësve të artistit Gjesti, të cilët kanë shprehur ngushëllimet dhe mbështetjen për familjen Kelmendi në rrjetet sociale.
Policia ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të aksidentit.






