Bashkimi Europian ka konfirmuar takimin e radhës të nivelit të lartë mes Kosovës dhe Serbisë më 27 shkurt në Bruksel.
BE thotë se edhe kryeministri Albin Kurti edhe presidenti serb Aleksandër Vuçiç kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre.
“Përfaqësuesi i Lartë, i mbështetur nga Përfaqësuesi Special i BE-së, Miroslav Lajçak, do të zhvillojë takime të veçanta me liderët, pasuar nga një takim i përbashkët.
Në takim do të diskutohet për Propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në njoftimin e BE-së.
BE thotë se detaje të tjera të takimit do të bëhen të ditura kur të afrohet data e takimit.
Vitin e kaluar, Kosovës dhe Serbisë iu dorëzua propozimi evropian, apo siç njihet edhe si propozimi franko-gjerman. Palët kanë konfirmuar se e pranojnë këtë dokument, por ai nuk është bërë publik.
Palët kanë synime të ndryshme sa i përket marrëveshjes finale, që synohet të arrihet në këtë proces. Kosova insiston në njohje reciproke, ndërkaq Serbia kërkon një zgjidhje kompromisi, pa specifikuar se për çfarë kompromisi bëhet fjalë