ZYRTARE/ Kush janë zv.Ministrat e rinj të qeverisë ‘Rama 3’

0

VENDIME TË MIRATUARA NË MBLEDHJEN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, DATË 13 TETOR 2021

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 13 Tetor 2021

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 13 Tetor 2021:

V E N D I M
PËR
EMËRIM NË DETYRË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 6, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Znj. Denada Seferi emërohet zëvendësministër i Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ
*
V E N D I M
PËR
EMËRIM NË DETYRË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 6, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Z. Enio Civici emërohet zëvendësministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ
*
V E N D I M
PËR
EMËRIM NË DETYRË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 6, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Znj. Vilma Bello emërohet zëvendësministër i Turizmit dhe Mjedisit.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ
*
V E N D I M
PËR
DHËNIEN E MIRATIMIT PËR LIDHJEN E KONTRATËS SË QIRASË, ME TARIFËN 1 EURO/KONTRATA, NDËRMJET MINISTRISË SË FINANCAVE DHE EKONOMISË, SI QIRADHËNËS, DHE BASHKIMIT TË SHOQËRIVE (JV), “MARINA DI VALONA”, SH.P.K., ME NUIS M01324008A, “BRUNES”, SH.P.K., ME NUIS K37125203H, “NDREGJONI”, SH.P.K., ME NUIS K31329048I, DHE “MARINA PROJECTS” LTD, ME NUMËR REGJISTRIMI 04182366, SI QIRAMARRËS, PËR PASURINË SHTETËRORE, PJESË E FONDIT TË PASURIVE TË PALUAJTSHME PËR MBËSHTETJEN E INVESTIMEVE STRATEGJIKE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të aktit normativ nr.4, datë 9.7.2008, të Këshillit të Ministrave, “Për privatizimin dhe dhënien në përdorim shoqërive tregtare dhe institucioneve shtetërore, të ndërmarrjeve apo objekteve të veçanta, mjeteve të xhiros së këtyre ndërmarrjeve”, miratuar me ligjin nr.9967, datë 24.7.2008, të nenit 27, të ligjit nr.55/2015, “Për investimet strategjike në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të vendimit nr.54, datë 5.2.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kritereve, të procedurës dhe mënyrës së dhënies me qira, enfiteozë apo kontratave të tjera të pasurisë shtetërore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Dhënien e miratimit për lidhjen e kontratës së qirasë, me tarifën 1 (një) euro/kontrata, ndërmjet Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, si qiradhënës, dhe Bashkimit të Shoqërive (JV), “Marina di Valona”, sh.p.k., me NUIS M01324008A, “Brunes”, sh.p.k., me NUIS K37125203H, “Ndregjoni”, sh.p.k., me NUIS K31329048I, dhe “Marina Projects” LTD, me numër regjistrimi 04182366, si qiramarrës, për pronën e paluajtshme shtetërore në zonën kadastrale nr.8602, Bashkia Vlorë, pjesë e fondit të pasurive të paluajtshme për mbështetjen e investimeve strategjike, sipas dokumentacionit të pronësisë, planvendosjes, listës së pasurive dhe tekstit të projektkontratës, që i bashkëlidhen këtij vendimi.
2. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve, Agjencia Shtetërore e Kadastrës Vlorë dhe Bashkimi i Shoqërive (JV), “Marina di Valona”, sh.p.k., me NUIS M01324008A, “Brunes”, sh.p.k., me NUIS K37125203H, “Ndregjoni”, sh.p.k., me NUIS K31329048I, dhe “Marina Projects” LTD, me numër regjistrimi 04182366, për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ
*
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E KRITEREVE PËR IDENTIFIKIMIN E SUBJEKTEVE PRIVATE, STRUKTURAT PËRGJEGJËSE PËR IDENTIFIKIMIN E TYRE, SI DHE RREGULLAT PËR REALIZIMIN E BASHKËPUNIMIT NDËRMJET TYRE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 51, të ligjit nr.45/2019, “Për mbrojtjen civile”, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në varësi të shtrirjes territoriale, strukturat përgjegjëse për identifikimin e subjekteve private, të cilat do të përfshihen në infrastrukturën e paralajmërimit të hershëm, monitorimit, njoftimit dhe alarmit në kuadër të mbrojtjes civile, janë:
a) bashkitë, të cilat:
i. identifikojnë subjektet private në territorin e juridiksionit të tyre;
ii. pas identifikimit, informojnë prefektin e qarkut dhe Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile për listën e subjekteve të identifikuara;
iii. kryejnë kontrollin e subjekteve private të identifikuara.
b) prefekti i qarkut, i cili:
i. në rast se e gjykon të nevojshme, identifikon subjekte private të tjera brenda territorit ku ushtron kompetencat e tij;
ii. informon Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile për listën e subjekteve të identifikuara;
iii. kryen kontrollin e subjekteve private të identifikuara.
c) Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, e cila:
i. në rast se e gjykon të nevojshme, identifikon subjekte private të tjera, të paidentifikuara nga bashkitë apo prefekti i qarkut;
ii. kryen kontrollin e subjekteve private të identifikuara;
iii. mban regjistër në rang kombëtar për listën e subjekteve të identifikuara. Regjistri të ketë format të thjeshtë, të administrohet nga struktura përgjegjëse pranë Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, si dhe të përmbajë të dhënat e subjekteve të identifikuara, si emrin tregtar të tyre, numrin unik të identifikimit, vendndodhjen, të dhënat e kontaktit të subjektit dhe çdo informacion shtesë të gjykuar si të nevojshëm dhe që i shërben administrimit të listës së subjekteve të identifikuara.
2. Subjektet private përfshihen në infrastrukturën e paralajmërimit të hershëm, monitorimit, njoftimit dhe alarmit në rastet kur:
a) kanë në pronësi objekte që:
i. janë të pozicionuara brenda apo pranë qendrave të banuara, qendrave tregtare, zonave industriale, porteve, aeroporteve, autostradave dhe rrjetit rrugor kombëtar;
ii. garantojnë fushëpamje, kanë pozicionim që mundëson vrojtimin dhe dëgjimin në distanca të largëta;
iii. garantojnë shikueshmëri, kanë pozicionim që mundëson dallimin me sy nga një pikë.
b) janë operatorë radiotelevizivë kombëtarë ose lokalë, ofrues të shërbimeve të komunikimit tokësor e satelitor, si edhe kompani telefonie.
3. Në kuadër të bashkëpunimit, ndërmjet subjekteve private dhe strukturave përgjegjëse për identifikimin e tyre, subjektet private duhet:
a) të lejojnë hyrjen e personelit të ngarkuar me mirëmbajtjen dhe funksionimin e mjeteve dhe të pajisjeve të paralajmërimit të hershëm, monitorimit, njoftimit dhe alarmit, pas njoftimit paraprak dy ditë pune para, përveç rasteve kur mjetet apo pajisjet janë dëmtuar apo janë jashtë shërbimit;
b) të lejojnë kontrollin, pas njoftimit paraprak dy ditë pune para, nga strukturat përgjegjëse të parashikuara në pikën 1, të këtij vendimi, të mjeteve dhe të pajisjeve të paralajmërimit të hershëm, monitorimit, njoftimit dhe alarmit, të vendosura në objektin e tyre;
c) të njoftojnë menjëherë strukturat përgjegjëse në rastet e dëmtimeve të dukshme të mjeteve dhe të pajisjeve të paralajmërimit të hershëm, monitorimit, njoftimit dhe alarmit.
4. Me qëllim shmangien e mbivendosjes, strukturat përgjegjëse, sipas pikës 1, të këtij vendimi, koordinojnë punën për kryerjen e kontrolleve të përbashkëta.
5. Ngarkohen të gjitha bashkitë, prefektët e qarqeve, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile dhe drejtuesit e subjekteve private, sipas këtij vendimi, për zbatimin e tij.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ
*
V E N D I M
PËR
LIRIM NGA DETYRA
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 6, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Znj. Bardhylka Kospiri, zëvendësministër i Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, lirohet nga kjo detyrë.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ
*
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES SË FINANCIMIT, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, PËRFAQËSUAR NGA KËSHILLI I MINISTRAVE, MALIT TË ZI, PËRFAQËSUAR NGA ZYRA E INTEGRIMIT EVROPIAN, DHE KOMISIONIT EVROPIAN, PËR PROGRAMIN E VEPRIMIT TË BASHKËPUNIMIT NDËRKUFITAR IPA II, MALI I ZI-SHQIPËRI 2014-2020, ALOKIMET PËR VITIN 2020
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes së financimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Këshilli i Ministrave, Malit të Zi, përfaqësuar nga Zyra e Integrimit Evropian, dhe Komisionit Evropian, për programin e veprimit të bashkëpunimit ndërkufitar IPA II, Mali i Zi-Shqipëri 2014-2020, alokimet për vitin 2020, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ
*
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË PROTOKOLLIT NDRYSHUES TË MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE SUEDISË, PËR PROGRAMIN “FORCIMI I POLICIMIT NË KOMUNITET NË SHQIPËRI” (2017-2020), RATIFIKUAR ME LIGJIN NR.95/2017
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10 e 23, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të protokollit ndryshues të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Suedisë, për programin “Forcimi i policimit në komunitet në Shqipëri” (2017-2020), ratifikuar me ligjin nr.95/2017.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ
*
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E MEMORANDUMIT TË MIRËKUPTIMIT PËR BASHKËPUNIM PËR LEHTËSIMIN E IMPORTEVE, EKSPORTEVE DHE LËVIZJES SË MALLRAVE NË BALLKANIN PERËNDIMOR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 19, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin e memorandumit të mirëkuptimit për bashkëpunim për lehtësimin e importeve, eksporteve dhe lëvizjes së mallrave në Ballkanin Perëndimor, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ
*
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.202, DATË 5.3.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRDORIMIN E FONDIT TË RINDËRTIMIT PËR FINANCIMIN E RINDËRTIMIT TË BANESAVE INDIVIDUALE, NDËRTIMIN DHE RIKONSTRUKSIONIN E INFRASTRUKTURËS PUBLIKE, SI DHE ÇDO NDËRHYRJE TJETËR NË FUNKSION TË RINDËRTIMIT TË KËTYRE BANESAVE”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13, shkronja “b”, nënndarja “i”, dhe 36, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 7, të ligjit nr.137/2020, “Për buxhetin e vitit 2021”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.202, datë 5.3.2020, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
a) Në pikën 2.2, shifra “… 500 000 000 (pesëqind milionë) lekë pa TVSH …” zëvendësohet me shifrën “… 1 375 821 704 (një miliard e treqind e shtatëdhjetë e pesë milionë e tetëqind e njëzet e një mijë e shtatëqind e katër) lekë pa TVSH …”.
b) Pas shkronjës “a”, të pikës 2.2, shtohet shkronja “b”, me këtë përmbajtje:
“b) Bashkisë Tiranë, në buxhetin e miratuar për vitin 2021, i transferohet fondi prej 875 821 704 (tetëqind e shtatëdhjetë e pesë milionë e tetëqind e njëzet e një mijë e shtatëqind e katër) lekësh pa TVSH, në formën e transfertës së pakushtëzuar, për financimin e rindërtimit të banesave individuale, brenda dhe jashtë zonave të reja për zhvillim, ndërtimin dhe rikonstruksionin e infrastrukturës publike, si dhe çdo ndërhyrje tjetër, në funksion të rindërtimit të banesave individuale, jashtë zonave të reja për zhvillim.
Efekti financiar do të përballohet nga hapësira buxhetore e siguruar pas ngurtësimit në të njëjtën masë të fondeve të projekteve të rindërtimit me ecuri të ngadaltë.”.
2. Ngarkohen Zëvendëskryeministri dhe ministër i Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Bashkia Tiranë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ
*
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.307, DATË 16.4.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRDORIMIN E FONDIT TË RINDËRTIMIT PËR FINANCIMIN E NDËRTIMIT DHE TË RIKONSTRUKSIONIT TË INFRASTRUKTURËS PUBLIKE NË ZONAT E REJA TË SHPALLURA PËR ZHVILLIM TË DETYRUAR”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13, shkronja “b”, nënndarja “i”, 16, dhe 36, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 7, të ligjit nr.137/2020, “Për buxhetin e vitit 2021”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.307, datë 16.4.2020 , të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
a) Në pikën 3.1, shifra “… 1 611 987 454 (një miliard e gjashtëqind e njëmbëdhjetë milionë e nëntëqind e tetëdhjetë e shtatë mijë e katërqind e pesëdhjetë e katër) …” zëvendësohet me shifrën “… 1 831 788 178 (një miliard e tetëqind e tridhjetë e një milionë e shtatëqind e tetëdhjetë e tetë mijë e njëqind e shtatëdhjetë e tetë) …”.
b) Në shkronjën “b”, të pikës 3.1, bëhen ndryshimi dhe shtesa e mëposhtme:
i. Shifra “… 434 365 277 (katërqind e tridhjetë e katër milionë e treqind e gjashtëdhjetë e pesë mijë e dyqind e shtatëdhjetë e shtatë) …” zëvendësohet me shifrën “… 654 166 001 (gjashtëqind e pesëdhjetë e katër milionë e njëqind e gjashtëdhjetë e gjashtë mijë e një) …”.
ii. Në fund të shkronjës “b” shtohet paragrafi, me këtë përmbajtje:
“Efekti financiar shtesë do të përballohet nga hapësira buxhetore e siguruar pas ngurtësimit të projekteve me ecuri të ngadaltë.”.
2. Ngarkohen Zëvendëskryeministri dhe ministër i Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Bashkia Tiranë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ
*
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E PERSONALITETEVE DHE OBJEKTEVE TË TJERA, QË RUHEN DHE MBROHEN NGA GARDA E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 12, pikat 1, shkronjat “a” e “d”, dhe 2, shkronja “d”, të ligjit nr.33/2021, “Për Gardën e Republikës së Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Garda e Republikës së Shqipërisë ruan e mbron edhe këto personalitete:
a) Prokurorin e Përgjithshëm;
b) Kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit;
c) Drejtorin e Shërbimit Informativ të Shtetit;
ç) Kryetarin e partisë më të madhe të mazhorancës parlamentare;
d) Kryetarin e partisë më të madhe të opozitës parlamentare;
dh) Anëtarët e Këshillit të Ministrave;
e) Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë;
ë) Kryetarin e Bashkisë së Tiranës;
f) Inspektorin e Lartë të Drejtësisë;
g) Kryetarët e Gjykatave kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme dhe drejtorin e Byrosë Kombëtare të Hetimit;
gj) Inspektorin e Përgjithshëm të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave;
h) Kryenegociatorin për zhvillimin e negociatave të anëtarësimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian;
i) Komisionerin Shtetëror të Zgjedhjeve;
j) Kryetarin e komisionerët e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, kryetarin dhe gjyqtarët e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, Komisionerët Publikë, vëzhguesit ndërkombëtarë, të emëruar nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit;
k) Ambasadorin e Bashkimit Evropian në Shqipëri;
l) Pjesëtarët e familjeve, si: bashkëshorti, bashkëshortja dhe fëmijët deri në moshën 18 vjeç të Presidentit, të kryetarit të Kuvendit e të Kryeministrit, kur ka informacione nga strukturat ligjzbatuese se kërcënohet jeta e tyre.
2. Garda e Republikës së Shqipërisë ruan e mbron banesat ku jetojnë apo akomodohen dhe objektet ku ushtrojnë veprimtarinë edhe këto personalitete:
a) Banesat e:
i. Zëvendëskryeministrit;
ii. ministrit përgjegjës për çështjet e rendit dhe të sigurisë;
iii. drejtorit të Shërbimit Informativ të Shtetit;
iv. prokurorit të Përgjithshëm;
v. ambasadorit të Bashkimit Evropian në Shqipëri.
b) Objektet ku ushtrojnë veprimtarinë:
i. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, Kolegji i Posaçëm i Apelimit, Komisionerët Publikë dhe vëzhguesit ndërkombëtarë, të emëruar nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit;
ii. Prokuroria e Përgjithshme.
c) Objektet ku zhvillojnë veprimtarinë dhe akomodohen personalitetet shtetërore, konkretisht:
i. Në Tiranë: vila nr.4, vila nr.30, vila nr.31, Pallati i Brigadave;
ii. Në Dajt: vila nr.1, vila nr.2;
iii. Në Durrës: vila nr.6, vila nr.13, vila nr.20, vila nr.23,vila nr.29;
iv. Në Vlorë: vila nr.1,vila nr.2, vila nr.6, vila nr.9; vila Dhërmi;
v. Në Pogradec: vila nr.2, vila nr.3, vila nr.4, vila nr.5;
vi. Në Shkodër: vila Velipojë.
ç) Objekte të tjera:
i. Në Tiranë: Parku i Delegacioneve, Parku i Kryesisë së Kuvendit; Klinika qeveritare;
ii. Në Kërrabë: vendkomanda e përgjithshme, për kohë të veçantë;
iii. Në Linzë: objektet, ku ruhen e mbrohen rezervat, për kohë të veçantë;
iv. Në Dajt: vendkomanda e përgjithshme, për kohë të veçantë.
3. Automjetet, që përdoren për ruajtjen e shoqërimin e personaliteteve të përcaktuara në pikën 1, të këtij vendimi, vihen në dispozicion nga institucionet përkatëse që ata drejtojnë, me përjashtim të personaliteteve të përcaktuara në shkronjën “j”.
4. Me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, shfuqizohen aktet e mëposhtme:
a) Vendimi nr.590, datë 5.9.2007, i Këshillit të Ministrave, “Për caktimin e banesave të personaliteteve të larta shtetërore të vendit, të selive, rezidencave dhe objekteve të tjera të larta shtetërore, që do të ruhen dhe mbrohen nga Garda e Republikës së Shqipërisë” , i ndryshuar;
b) Vendimi nr.591, datë 5.9.2007, i Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e personaliteteve të tjera të larta shtetërore të vendit, që do të ruhen dhe mbrohen nga Garda e Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar;
c) Vendimi nr.641, datë 6.11.2017, i Këshillit të Ministrave, “Për ruajtjen dhe mbrojtjen e anëtarëve të institucioneve të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve, të personelit vendas dhe ndërkombëtar, të objekteve ku ushtrojnë veprimtarinë, si dhe Inspektorit të Lartë të Drejtësisë dhe Inspektorit të Përgjithshëm të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, nga Garda e Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar;
ç) Vendimi nr.375, datë 23.6.2021, i Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e personaliteteve dhe objekteve të tjera që ruhen e mbrohen nga Garda e Republikës”.
5. Ngarkohen Ministria e Brendshme dhe Garda e Republikës së Shqipërisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ
*
V E N D I M
PËR
PRONËSINË E RRUGËVE SHTETËRORE DHE KALIMET E PRONËSISË NDËRMJET ENTEVE PRONARE TË RRUGËVE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 2, të ligjit nr.8378, datë 22.7.1998, “Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, të nenit 6, të ligjit nr.10164, datë 15.10.2009, “Për Autoritetin Rrugor Shqiptar”, të nenit 4, të vendimit nr.153, datë 7.4.2000, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e rregullores në zbatim të Kodit Rrugor të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e inventarit të rrugëve shtetërore sipas tabelës 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Miratimin e kalimit të pronësisë nga entet lokale të rrugëve tek Autoriteti Rrugor Shqiptar sipas tabelës 2, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
3. Miratimin e kalimit të pronësisë nga Autoriteti Rrugor Shqiptar tek entet lokale të rrugëve sipas tabelës 3, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
4. Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe Instituti i Transportit, në zbatim të këtij vendimi, përditësojnë Arkivin Kombëtar të Rrugëve dhe informacionin e distancave kilometrike ndërqytetase.
5. Vendimi nr.405, datë 8.1.1996, i Këshillit të Ministrave, “Për administrimin e rrjetit rrugor kombëtar dhe rrjetit rural të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, shfuqizohet.
6. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Brendshme, Autoriteti Rrugor Shqiptar, Instituti i Transportit, prefektët e qarqeve dhe bashkitë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ
*
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E RREGULLAVE TË POSAÇME PËR PUNËSIMIN E TË BURGOSURVE, KUSHTET E PUNËS, KOHËZGJATJEN DHE SHPËRBLIMIN E SAJ
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 43, pika 12, e 44, pika 1, të ligjit nr.81/2020, “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
KREU I
RREGULLA TË PËRGJITHSHME
1. Objekt i këtij vendimi është përcaktimi i rregullave të posaçme për punësimin e të burgosurve, kushtet e punës, kohëzgjatjen dhe shpërblimin për punën e kryer.
2. Të burgosurit i garantohet e drejta për t’u punësuar brenda ose jashtë Institucionit të Ekzekutimit të Vendimeve Penale (këtu e në vijim “Institucioni”), në funksion të rehabilitimit dhe riintegrimit të tij në shoqëri. Në çdo rast, punësimi i të burgosurve nuk është i lidhur ngushtësisht me shpërblimin për punën e kryer, por me nxënien, ruajtjen dhe zhvillimin e aftësive e të njohurive profesionale gjatë ekzekutimit të vendimit, duke garantuar njëkohësisht edhe shpërblimin e drejtë të të burgosurve. Të burgosurit, që është vendosur në Institucionet e sigurisë së lartë, i garantohet e drejta për t’u punësuar vetëm brenda Institucionit.
3. Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve dhe çdo Institucion janë të detyruar të krijojnë kushtet dhe mundësitë për punësimin e të burgosurve brenda ose jashtë Institucionit sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve si dhe këtij vendimi.
4. Punësimi i të burgosurit udhëhiqet nga parimet e mëposhtme:
a) Parimi i trajtimit të barabartë dhe mosdiskriminimit;
b) Parimi i ndalimit të punës së detyruar;
c) Parimi i llogaridhënies;
ç) Punësimi në përputhje me aftësitë dhe njohuritë profesionale;
d) Parimi i shpërblimit të drejtë për punën e kryer.
KREU II
RREGULLAT E POSAÇME PËR PUNËSIMIN E TË BURGOSURVE
1. I burgosuri mund të punësohet:
a) nga administrata e Institucionit;
b) nga persona juridikë privatë, brenda ose jashtë Institucionit;
c) nëpërmjet vetëpunësimit.
2. Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, jo më vonë se data 10 (dhjetë) janar e çdo viti, përcakton llojet e punëve që mund të kryejnë të burgosurit kur punësohen nga administrata e Institucionit, sipas buxhetit të miratuar për këtë qëllim. Në përcaktimin e llojeve të punëve që mund të kryhen nga të burgosurit, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, me qëllim përgatitjen e të burgosurit për integrimin në tregun e punës, sigurohet që lloji, natyra, organizimi si dhe metodat e punës, për aq sa është e mundur, të jenë të ngjashme me të njëjtën punë që kryhet jashtë Institucionit.
3. Bazuar në llojet e punës që mund të kryejnë të burgosurit, sipas përcaktimit të pikës 2, të këtij kreu, çdo Institucion, jo më vonë se data 20 (njëzet) janar e çdo viti, përcakton pozicionet e punëve dhe numrin e vendeve vakante për çdo pozicion, që mund të kryhen nga të burgosurit në atë Institucion. Pozicioni i punëve dhe numri i vendeve vakante për çdo pozicion i dërgohet për miratim Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, e cila vendos miratimin, ndryshimin ose refuzimin e propozimit të drejtorit të Institucionit, brenda 5 (pesë) ditëve nga data e marrjes së propozimit.
4. Menjëherë pas miratimit të pozicioneve të punës dhe vendeve vakante për çdo pozicion, struktura përgjegjëse për punësimin në Institucion njofton çdo të burgosur për të drejtën për të paraqitur një kërkesë për t’u punësuar në një nga pozicionet e lira. Në të njëjtën kohë, pozicionet e punës si dhe vendet vakante për çdo pozicion shpallen edhe në ambientet e përbashkëta të të burgosurve, për të paktën 10 (dhjetë) ditë.
5. Shpallja dhe njoftimi i çdo pozicioni vakant, sipas pikës 4, të këtij kreu, zbatohet edhe në rastet kur një pozicion pune në administratën e Institucionit mbetet vakant gjatë vitit.
6. I burgosuri, i cili me vullnetin e tij të lirë dëshiron të punojë apo të ushtrojë një profesion gjatë qëndrimit në Institucion, paraqet pranë drejtorit të Institucionit shprehjen e interesit për t’u punësuar. Në kërkesë, si rregull, duhet të përcaktohet edhe vendi vakant për të cilën kërkon të punësohet.
7. Drejtori i Institucionit merr në konsideratë vendin vakant, për të cilën i burgosuri ka paraqitur kërkesë, gjendjen ekonomike të familjes së tij, kohën e qëndrimit në Institucion, kohën e kaluar në gjendje joaktive në punë gjatë periudhës së ekzekutimit të vendimit me burgim, sjelljen dhe vlerësimin e riskut të të burgosurit, aftësitë profesionale, fizike e mendore, detyrat e tjera të ngjashme të kryera në të kaluarën, personalitetin, mundësitë objektive dhe hapësirat e lira në ambientet e Institucionit ku zhvillohet aktiviteti i punës, si dhe çdo element tjetër për kryerjen e punës. Kushtet shëndetësore të të burgosurit vërtetohen nga mjeku përgjegjës për kontrollin e tyre, i cili e pajis të burgosurin me vërtetimin se është klinikisht i shëndetshëm për punë.
8. Në çdo rast, drejtori i Institucionit, pas kryerjes së procedurës administrative, me urdhër, pranon ose refuzon një kërkesë për t’u punësuar. Urdhri i drejtorit të Institucionit duhet të plotësojë të gjitha kërkesat e formës dhe arsyetimit të akteve administrative, të parashikuara në nenin 98 e vijues të Kodit të Procedurës Administrative.
9. I burgosuri, i cili punësohet në administratën e Institucionit, lidh kontratë individuale të punës me Institucionin, ku përcaktohen lloji i punës që do të kryhet, përgjegjësitë, kohëzgjatja si dhe shpërblimi i punës, sipas rregullave të parashikuara në këtë vendim dhe legjislacionin në fuqi.
10. Punësimi i personave të burgosur nga personat juridikë privatë mund të kryhet:
a) me kërkesë të personit juridik privat, i cili, në përputhje me projektin ose planin e tij të biznesit, ka të nevojshëm punësimin e një numri të caktuar të të burgosurve, brenda ose jashtë Institucionit; ose
b) me kërkesë të vetë të burgosurit, i cili, për shkak të njohurive ose aftësive të posaçme profesionale si dhe nevojës për ruajtjen dhe zhvillimin e këtyre aftësive mund të punësohet nga një person juridik privat.
11. Personat juridikë privatë mund të punësojnë të burgosurit brenda ose jashtë Institucionit, vetëm në rastet kur punësimi i tyre ka si qëllim të garantojë nxënien, ruajtjen dhe zhvillimin e aftësive për punë dhe njohurive profesionale si dhe i shërben riintegrimit në shoqëri të të dënuarit pas përfundimit të kryerjes së dënimit.
12. Në çdo rast, punësimi i të paraburgosurve jashtë Institucionit mund të lejohet vetëm me vendim të prokurorit.
13. Personat juridikë privatë, kur kërkojnë të punësojnë të burgosurit, sipas këtij kreu, në projektin ose planin e biznesit të tyre duhet të justifikojnë edhe mënyrën e përmbushjes së kriterit të përcaktuar në pikën 11, të këtij kreu. Në rastet kur punësimi te një person juridik privat kërkohet nga vetë i burgosuri, në kërkesën për punësimin pranë një personi juridik privat duhet të justifikojë edhe nevojën për ruajtjen dhe zhvillimin e njohurive ose aftësive të posaçme profesionale të tij.
14. Për punësimin e të burgosurve, personat juridikë privatë paraqesin informacionet ose dokumentacionin e mëposhtëm:
a) Formularin standard të kërkesës, sipas modelit të miratuar nga drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve;
b) Ekstraktin që provon regjistrimin në regjistrin tregtar ose vendimin e gjykatës për regjistrimin si person juridik, në rastin e organizatave jofitimprurëse;
c) Certifikatën e regjistrimit në organin tatimor;
ç) Vërtetimin nga gjykata, prokuroria, shërbimi i përmbarimit dhe organet tatimore, ku tregohet se personi i juridik privat nuk është në gjykim për kryerjen e një vepre penale, nuk është nën hetim ose nuk ka detyrime të pashlyera ndaj organeve tatimore dhe institucioneve të tjera publike;
d) Institucionin në të cilin propozon për të punësuar të burgosurit ose, kur është rasti, të dhënat për punësimin e tyre jashtë Institucionit, veçanërisht të dhënat që lidhen me ruajtjen dhe sigurinë e të burgosurve;
dh) Informacion të detajuar për:
i. llojin e aktivitetit që kryen;
ii. numrin e fuqisë punëtore të punësuar;
iii. nivelin e pagës që ai paguan për punëmarrësit.
e) Planin e biznesit/projektpropozimin dhe të dhëna për:
i. numrin e punonjësve që kërkon të punësojë;
ii. profesionin për të cilin do të punësohen;
iii. përshkrimin e aktivitetit që do të kryejnë këta punëtorë;
iv. kohëzgjatjen e marrëdhënies së punës;
v. llojin e kontratës që kërkon të zbatojë;
vi. nivelin e pagës që propozon për punëmarrësit e tij.
ë) Të dhënat financiare të vitit të mëparshëm nëpërmjet pasqyrave financiare të vërtetuara nga organet tatimore, të cilat duhet të rezultojnë me fitim.
15. Kërkesa për punësimin e të burgosurve, së bashku me informacionet dhe dokumentacionin, e përcaktuar në pikën 14, të këtij kreu, paraqiten në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, e cila e shqyrton dhe merr vendim për kërkesën, në përputhje me rregullat dhe procedurat e përcaktuara në Kodin e Procedurës Administrative, jo më vonë se 60 (gjashtëdhjetë) ditë nga data e paraqitjes së saj.
16. Përpara marrjes së vendimit, sipas përcaktimit të pikës 15, të këtij kreu, drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve i përcjell kërkesën Komisionit të Përhershëm të Vlerësimit të Aktivitetit të Punës në Burgje, i cili shqyrton çdo kërkesë për punësimin e të burgosurve nga personat juridikë privatë dhe, në çdo rast, propozon miratimin ose refuzimin e kërkesës.
17. Komisioni, në rastet kur informacioni i paraqitur sipas pikës 14, të këtij kreu, është i paplotë ose i pasaktë, mund të kërkojë të dhëna shtesë nga punëdhënësi që ka paraqitur projektin ose nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve si edhe ka të drejtë të kërkojë nga çdo organ publik konfirmimin e të dhënave të paraqitura personi juridik privat.
18. Komisioni i propozon drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve miratimin ose refuzimin e kërkesës së paraqitur nga personi juridik privat, jo më vonë se 20 (njëzet) ditë nga data e marrjes së saj. Në çdo rast, propozimi i Komisionit duhet të jetë i arsyetuar.
19. Ndaj vendimit të drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve për refuzimin e kërkesës për punësimin e të burgosurve nga personat juridikë privatë mund të paraqitet kërkesëpadi drejtpërdrejt në gjykatë, sipas parashikimeve të ligjit për gjykatat administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative.
20. I dënuari ka të drejtë për të paraqitur kërkesë për punësimin e tij jashtë Institucionit, në rastet kur ai ka njohuri ose aftësi teknike ose profesionale të veçanta dhe ruajtja ose zhvillimi i këtyre aftësive mund të kryhet vetëm nëpërmjet punësimit në një person juridik privat jashtë Institucionit. Në këtë rast, i dënuari paraqet pranë drejtorit të Institucionit informacionet ose dokumentacionin e mëposhtëm:
a) Formularin standard të kërkesës, sipas modelit të miratuar nga Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve;
b) Ekstraktin që provon regjistrimin e personit juridik në regjistrin tregtar ose vendimin e gjykatës për regjistrimin si person juridik, në rastin e organizatave jofitimprurëse;
c) Certifikatën e regjistrimit në organin tatimor;
ç) Vërtetim nga gjykata, prokuroria, shërbimi i përmbarimit dhe organet tatimore, ku tregohet se personi i juridik privat nuk është në gjykim për kryerjen e një vepre penale, nuk është nën hetim ose nuk ka detyrime të pashlyera ndaj organeve tatimore dhe institucioneve të tjera publike;
d) Të dhënat për ruajtjen dhe sigurinë e të burgosurit gjatë punësimit të tij jashtë Institucionit;
dh) Informacion të detajuar për:
i. llojin e aktivitetit që kryen personi juridik privat, tek i cili do të punësohet;
ii. numrin e fuqisë punëtore të punësuar;
iii. nivelin e pagës që ai paguan për punëmarrësit e tjerë që kryejnë të njëjtën punë ose punë të ngjashme;
iv. profesionin për të cilin do të punësohen;
v. kohëzgjatjen e marrëdhënies së punës;
vi. llojin e kontratës që kërkon të zbatojë;
vii. nivelin e pagës që i është propozuar nga punëdhënësi;
viii. shpjegimin mbi llojet e njohurive ose aftësive teknike ose profesionale të veçanta që zotëron i dënuari si dhe shkaqet që diktojnë ruajtjen dhe zhvillimin e këtyre aftësive vetëm nëpërmjet punësimit jashtë Institucionit;
e) Të dhënat financiare të vitit të mëparshëm të personit juridik privat nëpërmjet pasqyrave financiare të vërtetuara nga organet tatimore, të cilat duhet të rezultojnë me fitim.
21. Kërkesa për punësimin jashtë Institucionit, së bashku me informacionet dhe dokumentacionin, e përcaktuar në pikën 20, të këtij kreu, paraqiten pranë drejtorit të Institucionit, i cili, pas vlerësimit të nevojave të sigurisë si dhe duke u bazuar në vlerësimin e rrezikshmërisë së të dënuarit, jo më vonë se 15 (pesëmbëdhjetë) ditë nga data e marrjes së kërkesës, i propozon drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve miratimin ose refuzimin e saj. Në çdo rast, propozimi i drejtorit të Institucionit duhet të jetë i arsyetuar.
22. Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve e shqyrton dhe merr vendim për kërkesën në përputhje me rregullat dhe procedurat e përcaktuara në Kodin e Procedurës Administrative, jo më vonë se 45 (dyzet e pesë) ditë nga data e marrjes së propozimit nga drejtori i Institucionit, duke u bazuar veçanërisht në nevojat e sigurisë dhe vlerësimin e rrezikshmërisë së të dënuarit.
23. Përpara marrjes së vendimit, sipas përcaktimit të pikës 22, të këtij kreu, drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve i përcjell kërkesën Komisionit të Përhershëm të Vlerësimit të Aktivitetit të Punës në Burgje, i cili shqyrton çdo kërkesë të të burgosurve për punësimin jashtë Institucionit dhe, në çdo rast, propozon miratimin ose refuzimin e kërkesës.
24. Komisioni, në rastet kur informacioni i paraqitur sipas pikës 20, të këtij vendimi, është i paplotë ose i pasaktë, mund të kërkojë të dhëna shtesë nga i dënuari që ka paraqitur kërkesën nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve si edhe ka të drejtë të kërkojë nga çdo organ publik konfirmimin e të dhënave të paraqitura.
25. Komisioni i propozon drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve miratimin ose refuzimin e kërkesës së paraqitur nga personi juridik privat, jo më vonë se 20 (njëzet) ditë nga data e marrjes së saj. Në çdo rast, propozimi i Komisionit duhet të jetë i arsyetuar.
26. Ndaj vendimit të drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve për refuzimin e kërkesës për punësimin e të dënuarve nga personat juridikë privatë mund të paraqitet kërkesëpadi drejtpërdrejt në gjykatë, sipas parashikimeve të ligjit për gjykatat administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative.
27. Personeli i Institucionit nxit dhe krijon kushte për vetëpunësimin e të dënuarve.
28. Struktura përgjegjëse për punësimin pranë çdo Institucioni njofton çdo të dënuar për të drejtën për të paraqitur një kërkesë për t’u vetëpunësuar. Në njoftim, struktura përgjegjëse për punësimin duhet të përcaktojë edhe mjetet teknike ose pajisjet e posaçme që disponohen nga Institucioni dhe që mund të përdoren nga të dënuarit për vetëpunësimin e tyre. Në të njëjtën kohë, njoftimi dhe kriteret e vetëpunësimit dhe elementet që duhet të përmbajë kërkesa shpallen edhe në ambientet e përbashkëta të të dënuarve, në fillim të çdo viti, për të paktën 10 (dhjetë) ditë.
29. I dënuari i papunë, i cili me vullnetin e tij të lirë dëshiron të vetëpunësohet gjatë qëndrimit në Institucion, paraqet pranë drejtorit të Institucionit shprehjen e interesit për t’u vetëpunësuar. Kërkesa e të dënuarit për vetëpunësim duhet të përmbajë dokumentacionin dhe informacionin e mëposhtëm:
a) Vërtetimin e aftësive dhe kompetencave nëpërmjet certifikatave/dëshmive/diplomave/titujve apo nëpërmjet dhënies së ekuivalencës, njësive të krediteve, vleftësimit të aftësive dhe/ose kompetencave të fituara;
b) Përshkrimin e aktivitetit që do të kryejë;
c) Nevojën për ruajtjen dhe zhvillimin e aftësive të posaçme për punë e të njohurive profesionale;
ç) Mjetet apo burimet e nevojshme për realizimin e punës;
d) Kohëzgjatjen ditore të punës;
dh) Vendin e ushtrimit të aktivitetit;
e) Vërtetimin mjekësor se është klinikisht i shëndetshëm për të kryer punë.
30. Drejtori i Institucionit merr në konsideratë përshkrimin e aktivitetit, për të cilën i dënuari ka paraqitur kërkesë, aftësitë fizike dhe mendore dhe kompetencat profesionale, gjendjen ekonomike të familjes së tij, kohën e qëndrimit në Institucion, kohën e kaluar në gjendje joaktive në punë gjatë periudhës së ekzekutimit të vendimit me burgim, sjelljen dhe vlerësimin e riskut të të dënuarit, detyrat e tjera të ngjashme të kryera në të kaluarën, personalitetin, mundësitë objektive dhe hapësirat e lira në ambientet e Institucionit ku zhvillohet aktiviteti i punës, si dhe çdo element tjetër për kryerjen e punës.
31. Drejtori i Institucionit, pas shqyrtimit të kërkesës së të dënuarit, vendos me urdhër miratimin, ndryshimin ose refuzimin e saj, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve nga data e marrjes së kërkesës. Urdhri i drejtorit të Institucionit, i cili refuzon kërkesën e të dënuarit, duhet të plotësojë të gjitha kërkesat e formës dhe arsyetimit të akteve administrative, të parashikuara në nenin 98 e vijues të Kodit të Procedurës Administrative.
32. Në rast pranimi të kërkesës së të dënuarit, drejtori i Institucionit ngarkon strukturat përgjegjëse për krijimin e kushteve për realizimin e aktivitetit. Në rastet kur për vetëpunësimin e të dënuarit janë të nevojshme pajisje ose mjete të posaçme që nuk disponohen nga Institucioni, mjetet ose pajisjet mund t’i vendosen në dispozicion të dënuarit nga familjarët e tij ose çdo palë e tretë me një interes të ligjshëm.
33. Institucioni krijon kushte për punësimin dhe vetëpunësimin e të burgosurve me aftësi të kufizuara, duke ofruar një përshtatje të punës ose duke e përdorur punën për qëllime terapeutike.
34. I burgosuri me aftësi të kufizuara mund të punësohet kur gjendja e tij e lejon dhe i shërben qëllimeve terapeutike. Vërtetimi i gjendjes së treguar në këtë pikë bëhet kundrejt raportit mjekësor përkatës, të lëshuar sipas legjislacionit në fuqi. Raporti mjekësor përmban rekomandime të posaçme lidhur me kushtet, llojin dhe kohëzgjatjen ditore të punës.
35. Punësimi ose vetëpunësimi i personave me aftësi të kufizuara bëhet duke mbajtur parasysh standardet e legjislacionit në fuqi për përfshirjen dhe aksesueshmërinë e personave me aftësi të kufizuara.
36. Me qëllim mundësimin e punësimit ose të vetëpunësimit të të burgosurit me aftësi të kufizuar, Institucioni siguron kushtet teknike, të sigurisë, të përshtatshmërisë dhe të aksesueshmërisë të ndërtesave.
37. Të burgosurit me aftësi të kufizuar në të folur dhe në të dëgjuar ndihmohen nga një interpretues i gjuhës së shenjave ose lehtësues i komunikimit.
38. I burgosuri i mitur ka të drejtë të kryejë një punë të lehtë, në përputhje me Kodin e Drejtësisë Penale për të Mitur dhe që ndihmon në rehabilitimin dhe riintegrimin pas ekzekutimit të vendimit penal.
39. I burgosuri i mitur mund të punojë vetëm nëse një gjë e tillë lehtëson edukimin profesional, punësimin e tij pas lirimit dhe në qoftë se nuk pengohet arsimimi i tij.
40. I mituri punon jashtë kohës së studimit.
41. Kur është e mundur, i burgosuri i mitur mund të punojë edhe jashtë Institucionit, duke respektuar dispozitat e Kodit të Punës lidhur me punësimin e të miturve.
42. Organizimi dhe metodat e punës së ofruar në Institucion për të burgosurin e mitur duhet të jenë sa më të ngjashme me ato që zbatohen jashtë tij.
43. Kohëzgjatja e punës të të miturit të burgosur nuk duhet të kalojë 8 (tetë) orë në ditë.
KREU III
MARRËDHËNIET E PUNËS TË TË BURGOSURVE
1. Për punësimin e të burgosurve, kontrata e punës mund të lidhet drejtpërdrejt ndërmjet punëdhënësit dhe të burgosurit, me pëlqimin e Institucionit, në rastet kur punëdhënësi ka përzgjedhur të burgosur të posaçëm për kryerjen e një pune të caktuar, për shkak të aftësive ose njohurive të posaçme të tyre.
2. Në rastet kur për punën nuk kërkohen njohuri të posaçme, kontrata e punës lidhet ndërmjet punëdhënësit dhe Institucionit, që, nëpërmjet kontratës, merr përsipër të garantojë punësimin e një numri të caktuar të burgosurish, sipas nevojës dhe kërkesave të punëdhënësit. Në këtë rast, ndërmjet Institucionit dhe të burgosurit lidhet një kontratë e posaçme pune, sipas modelit të miratuar nga drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve.
3. Kontrata e punës e lidhur me një të burgosur nuk duhet të tregojë se ai ose ajo është duke kryer dënimin.
4. Të burgosurit, i cili është punësuar pranë Institucionit apo pranë personave juridikë privatë, brenda ose jashtë Institucionit apo është i vetëpunësuar, i sigurohen, për sa është e mundur, të gjitha kushtet dhe mjetet e punës sipas legjislacionit në fuqi që rregullon marrëdhëniet e punës, me përjashtim të rasteve kur parashikohet ndryshe me marrëveshje ose kur këto mjete apo materiale mund të cenojnë sigurinë në Institucion.
5. Vendi i punës, në të gjitha pjesët përbërëse, duhet të përshtatet me natyrën e punëve që do të kryhen aty.
6. Sipërfaqja dhe vëllimi i vendit të punës duhet të jenë të mjaftueshme në mënyrë që i burgosuri të ketë mundësi të kryejë punën në siguri të plotë dhe pa penguar qarkullimin në vendin e punës.
7. Institucioni ose personat juridikë privatë, për punësimin e personave të burgosur, garantojnë edhe:
a) sigurimin dhe përmirësimin e vazhdueshëm të kushteve të punës;
b) mbrojtjen në punë;
c) kushtet minimale të sigurisë dhe shëndetit në vendin e punës;
ç) kushtet higjieno-shëndetësore;
d) mundësinë e përballimit të trajtimit mjekësor të punëmarrësve;
dh) transportin e punonjësve në qendrën e punës në rastin e punës jashtë Institucionit;
e) pushim përgjatë orarit të punës;
ë) çdo element tjetër të nevojshëm për zhvillimin e aktivitetit të punës.
8. Vetëpunësimi me karakter artistik dhe artizanal zhvillohet në ambiente të veçanta brenda Institucionit, duke marrë masat e nevojshme të sigurisë.
9. Në çdo rast, drejtori i Institucionit kujdeset për krijimin e kushteve të nevojshme të punës, sigurimin e mjeteve dhe materialeve për punësimin e të burgosurve, nëpërmjet personave juridikë privatë, si dhe përmbushjen e detyrimeve ligjore për punësimin e të burgosurve, sipas përcaktimeve të këtij vendimi.
10. Për të burgosurin e punësuar zbatohen rregullat e përcaktuara në legjislacionin në fuqi që rregullon marrëdhëniet e punës.
11. Për të burgosurin e punësuar në administratën e Institucionit, orari ditor i punës fillon çdo ditë në orën 8:00 dhe përfundon në orën 16:00, përveç rasteve kur puna në të cilën është punësuar i burgosuri në Institucion ka natyrë të tillë, e cila kërkon kryerjen e saj në orare të ndryshme apo në kohë të pjesshme.
12. Në çdo rast, orët maksimale të punës në ditë dhe në javë për të burgosurin përcaktohen në kontratën individuale të punës, në përputhje me legjislacionin në fuqi që rregullon marrëdhëniet e punës.
13. Të burgosurit kanë pushim javor, jo më pak se 36 (tridhjetë e gjashtë) orë, prej të cilave 24 (njëzet e katër) orë pa ndërprerje dhe u sigurohet kohë e mjaftueshme për arsimim dhe veprimtari të tjera me qëllim riintegrimin në shoqëri pas kryerjes së dënimit.
14. Të burgosurit të punësuar i garantohet e drejta e shpërblimit për punën e kryer prej tij. Shpërblimi jepet në proporcion me sasinë dhe cilësinë, llojin dhe kohëzgjatjen e punës së kryer.
15. Shpërblimi mund të përllogaritet në kohë, sipas punës së kryer (shpërblim në njësi, në detyrë ose me komision). Shpërblimi mund të llogaritet, gjithashtu, në funksion të rezultateve të ndërmarrjes (me pjesëmarrje në fitim ose në xhiron e të ardhurave).
16. Për efekt të llogaritjes së pagës ose shpërblimit orar, muaji llogaritet me 174 (njëqind e shtatëdhjetë e katër) orë pune.
17. Në rastet kur i burgosuri punësohet nga administrata e Institucionit, sipas rregullave të caktuara në pikat 2, 3, 4, 5, 6, 7, 8 dhe 9, të kreut II, të këtij vendimi, i burgosuri përfiton një pagesë në masën sa 25 (njëzet e pesë) për qind e pagës minimale në shkallë vendi. Në këtë rast, pagesa e të burgosurve kryhet sipas përcaktimeve të legjislacionit buxhetor në fuqi. Në rastet kur i burgosuri punësohet nga një person juridik privat, paga nuk mund të jetë më e ulët se paga minimale në shkallë vendi.
18. Në rastet e punësimit të të burgosurit me kohë të pjesshme, paga ose shpërblimi përcaktohet në kontratën individuale për orë pune ose sipas punës së kryer (pagë në njësi, në detyrë ose me komision), në varësi të llojit të punës, kushteve në të cilat kryhet dhe vështirësive të saj.
19. Në çdo rast, paga ose shpërblimi paguhet në një llogari të posaçme të të burgosurit, e cila administrohet nga i burgosuri, pas marrjes së pëlqimit të Institucionit.
20. I burgosuri ka të drejtë të disponojë jo më shumë se 40 (dyzet) për qind të të ardhurave të fituara nga puna e tij, nëpërmjet blerjes së sendeve personale të lejuara për përdorim në Institucion ose transferimin e këtyre të ardhurave familjarëve të tij.
21. Në rast se për shkak të krijimit të kushteve për punësimin e të burgosurit nga Institucioni ose për vetëpunësimin e të dënuarit krijohen kosto të drejtpërdrejta të Institucionit, këto kosto mbahen nga shpërblimi i tij. Përllogaritja e kostove shtesë të drejtpërdrejta kryhet nga struktura përgjegjëse për financat, sipas udhëzimit të miratuar për këtë qëllim nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve.
KREU IV
KOMISIONI I PËRHERSHËM I VLERËSIMIT TË AKTIVITETIT TË PUNËS NË BURGJE
1. Komisioni i Përhershëm i Vlerësimit të Aktivitetit të Punës në Burgje është një organ këshillimor i cili ka për qëllim të shqyrtojë dhe të vlerësojë çdo kërkesë për punësimin e të burgosurve, sipas parashikimit të këtij vendimi, si dhe të nxisë e të krijojë kushtet për punësimin e të burgosurve.
2. Komisioni ka në përbërje 5 (pesë) anëtarë:
a) Zëvendësdrejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve, në cilësinë e kryetarit të Komisionit;
b) Një anëtar i caktuar nga ministria përgjegjëse për çështjet e drejtësisë;
c) Një anëtar i caktuar nga ministria përgjegjëse për financat dhe ekonominë;
ç) Dy anëtarë të caktuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve.
3. Anëtarët e Komisionit kanë mandat dyvjeçar.
4. Komisioni ngrihet pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe e shtrin veprimtarinë në të gjithë vendin.
5. Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, nëpërmjet strukturave të saj siguron mbështetjen e nevojshme organizative e administrative për realizimin e funksionit dhe të detyrave të Komisionit.
6. Komisioni i zhvillon mbledhjet në përputhje me rregullat dhe procedurat e përcaktuara nga legjislacioni në fuqi për funksionimin e organeve kolegjiale të administratës shtetërore dhe enteve publike.
KREU V
DISPOZITA TË FUNDIT
1. Brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, institucionet përgjegjëse caktojnë anëtarët e Komisionit dhe i përcjellin emrat e tyre pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.
2. Institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale dhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve përgatisin buxhetin e nevojshëm për punësimin e të burgosurve, në përputhje me afatet dhe parashikimet e legjislacionit në fuqi për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë.
3. Vendimi nr.228, datë 19.5.1993, i Këshillit të Ministrave, “Për mënyrën e shpërblimit të punës të të dënuarve me heqje të lirisë”, shfuqizohet.
4. Ngarkohen Ministria e Drejtësisë, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ
*
V E N D I M
PËR
NGARKIMIN E MINISTRISË SË SHËNDETËSISË DHE MBROJTJES SOCIALE PËR KRYERJEN E PROCEDURAVE TË PROKURIMIT PUBLIK, NË EMËR DHE PËR LLOGARI TË SPITALEVE PUBLIKE, PËR DISA MALLRA
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 53, të ligjit nr.162/2020, “Për prokurimin publik”, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Ngarkimin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, si organ qendror blerës për prokurimin e fondeve buxhetore, me vlerë mbi kufirin monetar të prokurimeve me vlera të vogla, në emër dhe për llogari të spitaleve publike, për blerjen e barnave dhe të pajisjeve mjekësore.
2. Autoritetet kontraktore, institucionet e përmendura në pikën 1, të këtij vendimi, brenda 5 (pesë) ditëve nga njoftimi i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, si organ qendror blerës, të dërgojnë pranë saj të dhënat teknike e sasiore dhe fondin përkatës për mallrat përkatëse.
3. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, kur vepron si organ qendror blerës, ka detyrat e përgjegjësitë që parashikohen nga legjislacioni i prokurimit publik në fuqi, si:
a) të zhvillojë procedurat për prokurimin e përqendruar të barnave dhe të pajisjeve mjekësore, me vlerë mbi kufirin monetar të prokurimeve me vlera të vogla, për nevojat spitalore, sipas parashikimeve të legjislacionit të prokurimit publik;
b) të bashkërendojë punën me autoritetet kontraktore për mbledhjen e përpunimin e të dhënave për prokurimet publike, që mund të zhvillojë në cilësinë e organit qendror blerës;
c) të verifikojë përputhshmërinë e kërkesave të dërguara nga autoritetet kontraktore me ligjin e standardet në fuqi;
ç) të shqyrtojë dhe të miratojë specifikimet teknike të dërguara nga autoritetet kontraktore. Nëse gjykohet se specifikimet teknike nuk janë përgatitur në përputhje me ligjin për prokurimet publike dhe/ose legjislacionin specifik të aplikueshëm sipas fushës së objektit të prokurimit, të cilat mund të shkaktojnë dështim të procedurës së prokurimit, organi qendror blerës kryen rishikimin e specifikimeve teknike, në bashkëpunim me specialistët e fushave të institucioneve përgjegjëse ose specialistë të jashtëm, vendas a të huaj. Në këto raste, organi qendror blerës vë në dijeni autoritetet kontraktore për ndryshimet e bëra;
d) të unifikojë specifikimet teknike për mallra të të njëjtit lloj, në përputhje me standardet e miratuara, në bashkëpunim me specialistët e fushave të institucioneve përgjegjëse ose specialistë të jashtëm, vendas a të huaj. Në këto raste, organi qendror blerës vë në dijeni autoritetet kontraktore për ndryshimet e bëra;
dh) të bashkërendojë punën për testimin e tregut me autoritetet kontraktore për përllogaritjet e të dhënave sasiore për mallrat, që do të prokurohen, para publikimit të tenderit, sipas parashikimeve të rregullave të prokurimit publik. Në këto raste, organi qendror blerës vë në dijeni autoritetet kontraktore për ndryshimet e bëra.
4. Vendimi nr.135, datë 20.2.2013, i Këshillit të Ministrave, “Për lejimin e Ministrisë së Shëndetësisë për kryerjen e procedurave të prokurimit publik, në emër dhe për llogari të institucioneve të varësisë, për disa mallra e shërbime”, të ndryshuar, dhe udhëzimi nr.334, datë 4.8.2015, i ministrit të Shëndetësisë, “Mbi mënyrën e organizimit dhe realizimit të disa procedurave të përqendruara të prokurimit publik në Ministrinë e Shëndetësisë”, shfuqizohen.
5. Ngarkohet Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të udhëzojë autoritetet kontraktore për zbatimin e këtij vendimi.
6. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe spitalet publike për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ
*
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, PËRMES KOMPENSIMIT ME SHKËMBIM, PËR TË GJITHA PASURITË QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT NË FUNKSION TË PROCESIT TË RINDËRTIMIT, QË DO TË REALIZOHET NË ZONËN E RE PËR ZHVILLIM NË NJËSINË ADMINISTRATIVE MARIKAJ, BASHKIA VORË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, të nenit 32, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, përmes kompensimit me shkëmbim, për të gjitha pasuritë që preken nga realizimi i projektit në funksion të procesit të rindërtimit, që do të realizohet në zonën e re për zhvillim në njësinë administrative Marikaj, Bashkia Vorë, sipas tabelës që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Shpronësimi përmes kompensimit me shkëmbim bëhet në favor të Bashkisë Vorë.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme shpronësohen përmes kompensimit me shkëmbim, sipas të dhënave që paraqiten në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasuritë e llojit “truall”, “ndërtesë banimi” dhe “ndërtesë jo banimi”.
4. Shkëmbimi i pasurive private të llojit “truall”, “ndërtesë banimi” dhe “ndërtesë jo banimi” me një pasuri tjetër të paluajtshme në pronësi të shtetit, aktuale ose të ardhshme, të bëhet referuar legjislacionit në fuqi, sipas cilësimeve në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, si dhe marrëveshjeve/kontratave individuale që janë lidhur e do të lidhen, ndërmjet Bashkisë Vorë dhe subjekteve të prekura nga ky shpronësim.
5. Afati i kryerjes së shkëmbimit të pronës private me një pronë shtetërore të ardhshme të jetë në përfundim të realizimit të projektit në funksion të procesit të rindërtimit, që do të realizohet në zonën e re për zhvillim në njësinë administrative Marikaj, Bashkia Vorë.
6. Bashkia Vorë i kërkon Agjencisë Shtetërore të Kadastrës që, jo më vonë se 30 (tridhjetë) ditë nga hyrja në fuqi e vendimit të shpronësimit përmes kompensimit me shkëmbim ose nga data që ka marrë formë të prerë vendimi i gjykatës, në rast se kompensimi kryhet nëpërmjet shkëmbimit të pronës private me një pasuri shtetërore të ardhshme, në kartelën e pasurisë për pronën truall, ku do të krijohet pasuria e ardhshme, në regjistrat e pasurive të paluajtshme të bëhet regjistrimi i barrës ligjore, sipas legjislacionit në fuqi, në favor të pronarit privat, për përfitimin në të ardhmen të pasurisë shtetërore, kur kjo e fundit të regjistrohet në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës. Kur pronari privat ka pranuar kushtet e shkëmbimit, pjesë të kërkesës për regjistrim janë dhe marrëveshjet përkatëse. Me regj

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu