116 vjet nga kongresi i Elbasanit ,themeli i arsimit dhe identitetit kombëtar

0

 

Nga 2 deri më 9 shtator 1909, në Elbasan u mbajt Kongresi i parë kombëtar për arsimin shqip.Sot,në përvjetorin e 116-të të Kongresit të Elbasanit,të gjithë përulen me respekt përpara një prej momenteve më madhore të historisë sonë kombëtare,një gur themeli për arsimin, gjuhën dhe kulturën shqiptare.Nga data 2 deri më 9 shtator të vitit 1909,në qytetin e Elbasanit u zhvillua një nga ngjarjet më domethënëse për fatet e arsimit shqiptar, i njohur në histori si “Kongresi i Elbasanit”apo “Kongresi i shkollave shqipe”. Ky kongres shënoi një hap të madh përpara drejt përhapjes së arsimit në gjuhën shqipe dhe institucionalizimit të edukimit kombëtar,në një kohë kur vetë ekzistenca e kombit shqiptar varej nga ruajtja dhe forcimi i gjuhës dhe kulturës së tij.Një kongres me përfaqësim të gjerë patriotikNë këtë ngjarje morën pjesë 35 delegatë nga 28 klube dhe shoqëri patriotike,që vepronin brenda dhe jashtë kufijve të trojeve shqiptare. Kongresi mblodhi së bashku personalitete të shquara të lëvizjes kombëtare,mendje të ndritura dhe mësues atdhetarë,të vendosur për të ngritur një sistem arsimor në gjuhën amtare dhe për të çliruar mendjen e popullit nga errësira e padijes.Ndër pjesëmarrësit më të njohur përmendim:
Orhan Pojani,Grigor Cilka, Gjergj dhe Sevasti Qiriazi, Ahmet Dakli,Refit Toptani, Hamdi Ohri,Nikollë Kaçori, Andrea Konomi,Idhomen Kosturi,Kahreman Vrioni, etj.Kongresi zgjodhi si kryetar të tij Dervish Biçakçiun,ndërsa nënkryetar u zgjodh Mit’hat Frashëri,figura kyçe të çështjes kombëtare.Sekretarë të kongresit u caktuan Simon Shuteriqi dhe Josif Haxhimima.Vendimet historike dhe krijimi i Shkollës Normale .Kongresi hartoi dhe miratoi një program arsimor e kulturor me 15 pika, që parashtronte hapat konkretë për njohjen dhe përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe në të gjithë sistemin ekzistues arsimor të kohës,si dhe për përhapjen e mëtejshme të mësimit në gjuhën shqipe në të gjitha nivelet e arsimit.Një nga vendimet më të rëndësishme të këtij Kongresi ishte hapja e një shkolle të mesme në Elbasan për përgatitjen e mësuesve shqiptarë,që do të njihej si Shkolla Normale e Elbasanit,institucioni që do të bëhej zemra e edukimit kombëtar.Shkolla u hap zyrtarisht më 1 dhjetor 1909,dhe u financua nga Shoqëria “Përparimi”,e cila do të kishte rol kyç edhe në mbështetjen e shkollave shqipe në mbarë vendin.Vendimet e Kongresit gjithashtu parashikonin:

• Mbështetjen financiare të shkollave shqipe ekzistuese.

• Çeljen e shkollave të reja shqipe në sa më shumë vise shqiptare.

• Futjen e gjuhës shqipe si lëndë mësimi edhe në shkollat e huaja që vepronin në territoret shqiptare.

• Hartimin dhe miratimin e rregullores së shoqërive dhe klubeve arsimore.

Zgjedhja e Elbasanit si vendi i mbajtjes së këtij Kongresi nuk ishte rastësore.Qyteti njihej për traditat e tij kulturore dhe arsimore,si dhe për klimën e bashkëjetesës dhe mendimit përparimtar. Elbasani u kthye në një qendër të ideve kombëtare dhe në simbol të përkushtimit ndaj edukimit dhe gjuhës shqipe.Edhe sot,pas 116 vitesh, Elbasani ruan me krenari dhe përkushtim traditën e vet arsimore dhe kulturore, duke qëndruar besnik ndaj trashëgimisë që Kongresi i vitit 1909 e la si amanet.Në këtë përvjetor të rëndësishëm,kujtojmë me nderim të gjithë patriotët dhe figurat historike që kontribuuan në këtë ngjarje me ndikim afatgjatë në identitetin dhe zhvillimin e kombit shqiptar.Kongresi i Elbasanit nuk ishte thjesht një mbledhje e arsimtarëve, por një akt madhor i vetëdijes kombëtare,një ngjarje që i dha dritë dhe drejtim një kombi që kërkonte emancipim dhe përparim përmes gjuhës dhe dijes.